“Shpëtuam jetën e Rozalinda Plakës”/ Shefi i Policisë rrëfen negociatat me Refit Buzin, Koroveshaj: Më kërkoi të afrohesha i vetëm dhe i paarmatosur   

27/07/2026 13:48

Detaje të reja janë zbardhur nga negociatat që çuan në lirimin e 24-vjeçares Rozalinda Plaka, e cila u mor peng nga ish-i fejuari i saj, Refit Buzi, pas ngjarjes tragjike në Vidhishtë të Roskovecit.

Shefi i Stacionit Policor të Roskovecit, Mariglen Koroveshaj, ka rrëfyer se negociatat me autorin zgjatën për disa orë dhe se ishte vetë Refit Buzi ai që kërkoi praninë e tij pranë automjetit ku mbante peng të renë.

Sipas Koroveshajt, autori vendosi si kusht që polici të afrohej i vetëm dhe pa armë, kërkesë që u pranua me qëllim shmangien e përshkallëzimit të situatës dhe shpëtimin e jetës së pengut.

“Autori kërkoi që unë të afrohesha personalisht. Më pas më kërkoi të isha i paarmatosur dhe i vetëm. E zbatova kërkesën e tij, pasi prioriteti ynë ishte të shpëtonim jetën e vajzës dhe të shmangnim çdo veprim që mund ta acaronte më tej”, u shpreh ai.

Polici tregoi se u afrua deri në rreth dy metra nga automjeti, ndërsa operacioni monitorohej në çdo moment nga forcat speciale RENEA.

“Në momentin që u afrova, ai më tha të mos bëja asnjë hap tjetër, sepse do të vriste veten. U tërhoqa dhe vazhduam negociatat derisa u bë e mundur lirimi i pengut. Çdo sekondë ishte vendimtare”, tha Koroveshaj.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Neritan Trifoni, pas lirimit, Rozalinda Plaka ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe me dëmtime fizike, të shkaktuara gjatë rrëmbimit me forcë nga ish-i fejuari. Sipas shefit të policisë, e reja nuk ishte në gjendje të ecte, ndaj ai e mori në krahë për ta larguar menjëherë nga zona e rrezikut.

Më pas, Koroveshaj u rikthye sërish pranë autorit për të vijuar negociatat, me synimin që ai të dorëzonte armën dhe situata të mbyllej pa viktima të tjera.

Shefi i Stacionit Policor të Roskovecit e cilësoi këtë si momentin më të vështirë të karrierës së tij 12-vjeçare në Policinë e Shtetit.

Top Channel