Malagò organizon takimin në Romë: Trajneri i ri? Do të flas me të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur
E ardhmja e pankinës së Kombëtares së Italisë është kthyer sërish në një enigmë.
Kur dukej se Andrea Pirlo ishte favorit për të marrë drejtimin e “Axurrëve”, vetë ish-mesfushori njoftoi në rrjetet sociale se nuk ishte më kandidat për postin e trajnerit. Ky zhvillim ka detyruar Federatën Italiane të nisë nga e para kërkimet për pasuesin e Luciano Spallettit.
Sipas SportMediaset, zgjedhja e trajnerit të ri lidhet ngushtë edhe me të ardhmen e Paolo Maldinit dhe Leonardos, të cilët kishin mbështetur fort kandidaturën e Pirlos. Nëse dy drejtuesit vendosin të largohen, kjo mund të ndryshojë plotësisht strategjinë e Federatës.
Pas refuzimeve të Pep Guardiolës dhe Carlo Ancelottit, dy emrat që rikthehen në krye të listës janë Roberto Mancini dhe Antonio Conte.
Mancini, trajneri që i dha Italisë triumfin në Euro 2021, mbetet kandidati i preferuar i presidentit të Federatës, Giovanni Malagò. Ish-trajneri i “Axurrëve” do të ishte i gatshëm të rikthehej menjëherë në pankinë, edhe pse këtë herë nuk konsiderohet zgjedhja e parë e drejtuesve teknikë.
Në krahun tjetër është Antonio Conte. Ish-trajneri i Napolit ka deklaruar së fundmi se nuk është kontaktuar nga Federata, por ai vazhdon të gëzojë mbështetjen e shumë presidentëve të klubeve të Serisë A, të cilët kanë patur ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e fundit në futbollin italian. Një rol në rikthimin e Contes mund të luajë edhe Giorgio Chiellini, i cili përflitet si drejtori i ardhshëm teknik i kombëtares në rast se Maldini largohet.
Ndërkohë nuk përjashtohen as surprizat. Nëse Maldini dhe Leonardo vazhdojnë projektin e tyre, mund të hidhet në tavolinë emri i Stefano Piolit, me të cilin Maldini bashkëpunoi me sukses te Milani. Gjithashtu në qarqet pranë Federatës është përmendur edhe Raffaele Palladino si një alternativë e mundshme.
Një tjetër kandidat që po fiton mbështetje nga tifozët është Silvio Baldini. Trajneri drejtoi Italinë si i përkohshëm në miqësoret ndaj Luksemburgut dhe Greqisë, duke marrë dy fitore, ndërsa vazhdon të jetë edhe trajner i kombëtares U-21. Federata mund ta shohë atë si një projekt afatgjatë, në stilin e Luis de la Fuente me Spanjën apo Lionel Scalonit me Argjentinën. Megjithatë, vetë Baldini ka shprehur më herët dyshime për një rol të tillë, duke deklaruar: “Besoj se për të drejtuar Italinë duhet një CV që unë nuk e kam.”
Top Channel