Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar mbrëmjen e kësaj të enjteje me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, në Bruksel, aty ku pas tij, shefja e BE-së për politikën e Jashtme dhe Sigurinë mikpriti edhe homologun serb të Thaçit, Alexandar Vuçiç.
“Sapo përfundova takimin dypalësh me përfaqësuesen e lartë për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. U pajtuam për dinamizmin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në rrjetet sociale.
Ndërkohë, në përfundim të takimit tjetër dypalësh me Vuçiçin, Mogherini pritet të ulet edhe në një tryzë të rrumbullakët për darkë, me pjesëmarrjen e të dy krerëve të shteteve, në vazhdën e procesit ndërmjetësues për dialogun e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Top Channel