Nëse dy shtyllat e buxhetit të qeverisë italiane për vitin 2019 tregohen më pak të kushtueshme sesa parashikohen, kursimet mund të përdoren për të reduktuar deficitin buxhetor, tha një burim qeveritar të hënën, një mesazh që mund të përshëndetet nga Komisioni Evropian.

Italia është e përfshirë në një grindje me ekzekutivin e BE, i cili javën e kaluar hodhi poshtë buxhetin ekspansionist të qeverisë populiste dhe i kërkoi Romës të paraqiste një projekt të ri brenda tre javësh.

Buxheti synon një deficit vitin e ardhshëm prej 2.4 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, nga një objektiv i synuar prej 1.8 përqind këtë vit, duke hedhur poshtë një kërkesë të BE-së që deficiti të bjerë në mënyrë të qëndrueshme drejt një buxheti të balancuar.

Ulja e moshës së pensionit dhe një skemë “mbështetje për të ardhurat e qytetarëve”, rrit me 17 miliardë euro buxhetin e planifikuar nga Italia, çka shkakton më pas edhe një deficit më të lartë.

Megjithatë, detajet e këtyre masave, si dhe kohëzgjatja e tyre ende nuk janë caktuar dhe disa nga fondet mund të mos përdoren nëse reformat nuk fillojnë deri në fund të vitit.

Çdo para e papërdorur mund t’i kushtohet uljes së deficitit buxhetor nën objektivin zyrtar prej 2.4 për qind, tha burimi.

Kjo shënon një ndryshim qëndrimi nga pozicioni i mëparshëm i qeverisë, që thoshte se çdo fond i pashfrytëzuar nga një prej dy reformave, automatikisht do të përdoret për të siguruar financim shtesë të një tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA