Të rinjtë që duan të lexojnë dhe jo të shpenzojnë kohën në internet, celular, Ipad apo në kafenë kanë tanimë mundësi për të lexuar.
Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar disa biblioteka nëpër lagje. Më e fundit është ajo në njësie administrative numër 10, e cila vjen jo vetëm me një pamje të re, por edhe me fond librash të shtuar me gati 500 tituj te rinj.
“Po krijojmë hapësira që gjenerojnë energji pozitive. Në administratën e shkuar për shumë nga këto hapësira thoshin: Hë mo, bibliotekë është, kush e përdor? Pse nuk e privatizojmë, të marrim ca lekë dhe i shfrytëzojmë për bashkinë? Por, ne kemi arritur t’i mbrojmë thuajse me thonj këto hapësira publike nga privatizimi. Patjetër që duam të përdorim energji private, por pa humbur shansin ta negociojmë fort hapësirën publike në shkëmbim të çfarë mund të marrim nga privati. Ndaj, është sukses që e kemi ruajtur këtë si hapësirë apo disa hapësira të tjera të harruara më parë”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i bashkisë vlerësoi se ashtu sikurse nevoja për infrastrukturë më mirë akoma më e çmuar është dija tek rinjtë dhe jo vetëm.
“Njerëzit kërkojnë gjithmonë e më shumë. Jam i sigurt se qyteti ka nevojë për më shumë asfalt. Unë di rrugë të tëra që kanë nevojë për gjelbërim ose vijëzime. Di hapësira të tjera që kanë nevojë për çerdhe, kopshte, por pyetja është: Qytetet jetojnë vetëm me llaç e tulla apo jetojnë edhe me libra, me muzikë, me teatër, me art e kulturë? Ndaj, teksa priremi në këtë garën e madhe të populizmit që çfarë duhet me i dhënë publikut që publiku të brohorasë, unë besoj se sfida jonë është jo vetëm t’i vijmë pas midesë publikut, por edhe ta udhëheqim atë. Të gjitha këto janë të nevojshme, por nuk do hamë asfalt tërë jetën. Komoditeti i makinave ka një limit. Ndoshta, ndonjëherë duhet të heqim ca para mënjanë për të bërë biblioteka, shkolla, hapësira ku kulturohemi, civilizohemi si shoqëri”, tha Veliaj.
Top Channel