Pas vizitës në Arabinë Saudite, Sekretari Amerikan i Shtetit vizitoi edhe Turqinë, ku takoi ministrin e Jashtëm atje, por edhe presidentin Erdogan.
Tema kryesore e bisedës ishin hetimet për zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashaggi, pasi kishte hyrë në konsullatën arabe në Stamboll, por zyrtarët folën edhe për marrëdhëniet dypalëshe.
Kështu sanksionet e SHBA-ve ndaj Turqisë, zunë një vend të rëndësishëm në tryezë, pasi tensionet mes palëve janë zbutur, me lirimin e pastorit amerikan, Andrew Brunson, javën e kaluar.
Gjithsesi vetë Pompeo preferoi të mos japë shumë detaje në lidhje me sanksionet, ndonëse pranoi se shumë prej tyre lidheshin me arrestimin e Brunson, dhe se tani që ai është i lirë, duhet të shfuqizoheshin.
“Për këtë çështje duhet të flas me presidentin Trump dhe më pas të diskutohet. Megjithatë, shumë prej sanksioneve lidheshin me arrestimin e Brunson dhe tani që ai është i lirë, mund të shfuqizohen”, deklaroi Pompeo, teksa po linte Ankaranë.
Pastori amerikan Andrew Brunson, i cili jetonte prej 22 vitesh në Turqi, u arrestua me akuzat për përfshirjen në grushtin e shtetit të 2015-ës dhe pas shumë muajsh mes burgut dhe arrestit të shtëpisë, u lirua javën e kaluar.
Top Channel