Me të marrë fjalën Taulant Balla, në mbledhjen e Komitetit ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, demokratët e ndërprenë duke kërkuar fjalën për procedurë. Pas një këmbënguljeje të gjatë, bashkëdrejtuesja tjetër e mbledhjes, Monika Makovei i dha Genc Pollos 30 sekonda kohë.
“Ky takim bashkëdrejtohet nga një mik i ngushtë, siç e ka pranuar ai vet, i një trafikanti të njohur droge, i dënuar në Itali me 22 vite burg. Ky bashkëdrejtues është Taulant Balla. Është turp që kryeministri ynë nuk e zëvendësoi atë me një tjetër deputet socialist normal, siç kërkuam javën e kaluar”, tha Genc Pollo.
Me mbarimin e kohës, mikrofoni i Pollos u fik, por kolegia e tij demokrate Albana Vokshi, që i ishte ulur në krah, kishte gati celularin për ta filmuar.
“Do të ishte një maskaradë, një tallje për komitetin tonë, nëse ne adoptojmë rekomandime duke bërë apel për luftën ndaj krimit, narkotikëve dhe korrupsionit, me Ballën që drejton takimin. Unë nuk dua të jem pjesë e kësaj maskarade e talljeje, ndaj do të largohem dhe nuk mund të kthehem, për sa kohë Balla qëndron në krye të panelit. U bëj apel kolegëve të mi të bëjnë të njëjtën gjë”, tha më tej Pollo.
Pas kësaj, deputetët opozitarë të delegacionit shqiptar braktisën mbledhjen.
Lexo edhe:
Politika shqiptare, sherr në Bruksel
“Ne flasim për dialog politik, ku është? Pse të largohesh që në fillim, me një deklaratë të parapërgatitur? Ata erdhën në këtë takim në Bruksel me paratë e qytetarëve shqiptarë, për të ngrënë një drekë të mirë e për t’u larguar”, tha Makovei.
Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein ftoi opozitën të ndjekë rrugën e institucioneve për denoncimet e saj.
“Ju lutem, kuptoni se unë nuk jam prokuror, polic apo gjyqtar. Kërkesa ime për PD është: bëni detyrat e shtëpisë, shkoni në Prokurori, sigurohuni që të gjitha çështjet do të ndiqen me seriozitet dhe, nëse diçka është e vërtetë ju mund të jeni të sigurtë që jo vetëm unë si raportues, por edhe të gjithë kolegët e mi këtu në Parlament do të përballen me këtë çështje në mënyrën e duhur. Nuk është se ne nuk ju besojmë juve, por ne nuk na lejohet t’iu besojmë juve, nëse ju nuk ndiqni procedurën normale”, tha Fleckenstein.
As europarlamentari Kukan, që i përket spektrit të djathtë, nuk iu doli në mbrojtje demokratëve.
“Ata paraqitën akuza shumë serioze, por këto çështje duhen zgjidhur në Shqipëri, në Parlamentin shqiptar dhe jo në Parlamentin Europian”, tha Kukan.
Si bashkëdrejtues i mbledhjes për palën shqiptare, Taulant Balla tha se gjithçka ishte urdhëruar nga Lulzim Basha.
“Duket këtu sikur ju e doni vendin tim më shumë sesa opozita ime. Nëse një e një milionta e atyre që tha z. Pollo është e vërtetë, jam gati të procedohem para Parlamentit Europian, në sheshin e Luksemburgut. Fatkeqësisht, kolegët e mi nga opozita më thanë se ishin urdhëruar nga z. Basha për të bërë këtë teatër. Kolegët demokratë duhet të kuptojnë se në pushtet vihet vetëm përmes zgjedhjeve”, tha Balla.
Me largimin e opozitës, deklarata përfundimtare me rekomandimet e përbashkëta nuk arriti të kishte unanimitet, por mori mbështetjen bipartizante të PE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit qershorin e ardhshëm mes Shqipërisë dhe BE-së.
Pavarësisht sherrit në sallën e Parlamentit Europian dhe asaj që opozita e cilësoi “turp që të qëndrojë në një sallë me deputetin socialist”, palët drekuan së bashku, madje Pollo dhe Balla qëndruan ballë për ballë.
Top Channel