PD: Alizoti, sajesë e Ramës; Opozita akuzoi kreun e grupit të PS, por pyet: Kush është Taulanti?

14/10/2018 11:50

Demokratët vijuan të publikojnë përgjimet e Prokurorisë në lidhje me takimet dhe bisedat e Fredi Alizotit, dëshmitarit që thotë se ka aktruar në rolin e Agron Xhafës, në audiopërgjimin që Albert Veliu, i njohur si “Babalja”, pretendon se ka kryer me vëllain e ministrit të Brendshëm.

Sipas PD-së, këto përgjime vërtetojnë se Alizoti është sajesë e mazhorancës.

“Në datën 1 qershor 2018, ditën kur Edi Rama pretendon se aktori i tij Fredi Alizoti është vetofruar në Prokurori në orën 8 të darkës, ai është kapur duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi, që i ka thënë ‘hap gojën sa do’. Menjëherë më pas, ai telefonohet nga drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, me numër telefoni 0694110316, dhe lë takim te QTU-ja në Fier. Në orën 17:13 minuta, Fredi Alizoti i drejtohet drejtorit të Policisë së Qarkut të Fierit me fjalët: ‘Do ta zgjidhësh ti këtë punë, apo ta zgjidhi shefi lart’? Vetëm 7 minuta më vonë, aktori i Edi Ramës, nga zona e QTU-së në Fier, vendi ku është lënë takimi me vartësin e Fatmir Xhafës, telefonon dikë dhe i drejtohet me fjalët ‘Mora një pako të mirë’. Më 7 qershor 2018, aktori i vetëshpallur nga Edi Rama telefonohet përsëri, personalisht nga drejtori i Policisë së Qarkut Fier, i cili e pyet se çfarë po bën dhe ku ndodhet, dhe Alizoti i përgjigjet ‘lart ku më latë’. Alizoti i kërkon drejtorit të Policisë së Fierit që të takojë ‘shefin e madh’ me patjetër atë ditë, duke e garantuar se ‘nuk ka më kthim mbrapa, ato që janë bërë nuk kthehen më mbrapa’”, tha Enkelejd Alibeaj.

Pak ditë më parë, demokratët pohonin me siguri se “Taulanti nga Librazhdi”, që citon Alizoti në bisedat e tij të përgjuara, është numri dy i PS-së, Taulant Balla. Por, tani pyesin Prokurorinë për identitetin e personit.

“Kush është Taulanti nga Librazhdi që i ka thënë Fredi Alizotit ‘hap gojën sa do’? Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë? Cili është ‘shefi i madh’ i drejtorit të Policisë së Qarkut të Fierit, që kërkon të takojë Fredi Alizoti? Partia Demokratike dhe çdo shqiptar i ka të qarta përgjigjet. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk mund të fshihen më përballë fakteve, që kanë fabrikuar dëshmitar për të mbrojtur një trafikant droge”, deklaroi më tej Alibeaj.

Duke vijuar t’i referohen Prokurorisë së Krimeve të Rënda si “celulë kriminale”, demokratët e akuzojnë atë se nuk ka kryer detyrën, duke mos hetuar për “mbrojtjen shtetërore”, që sipas tyre ka marrë vëllai i ministrit të Brendshëm.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA