Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka ftuar Papa Françeskun të vizitojë vendin e tij.
Lajmi është njoftuar nga zyra presidenciale e Koresë së Jugut, sipas të cilës, ftesa për të vizituar Penianin do t’i dorëzohet Papës nga Presidenti Moon Jae-in, i cili do të jetë në Vatikan javën e ardhshme, në kuadër të një udhëtimi të tij në Evropë.
Kjo nuk është hera e parë që një Papë ftohet në Korenë e Veriut. Koreja e Veriut dhe Vatikani nuk kanë marrëdhënie diplomatike formale. “Gjatë takimit me Papa Françeskun, Presidenti Moon Jae-in do t’i dorëzojë atij mesazhin nga Presidenti Kim Jong-un, që Ati i Shenjtë do të ishte i mirëpritur në Penian”, tha zëdhënësi i Moon.
Dhe padyshim, ftesa është xhesti më i fundit pajtues që vjen nga Koreja e Veriut. Kim pati një takim të paprecedent me Presidentin amerikan Donald Trump, më herët këtë vit, dhe tre takime me homologun e tij jugor janë zhvilluar po ashtu. Në vitin 2000, babai i Kim Jong-un, Kim Jong-il, ftoi Papa Gjon Palin II në një vizitë në Korenë e Veriut, pasi Papa ishte shprehur se do të ishte një mrekulli nëse ai do të mund të shkonte atje.
Ftesa u bë në një takim me Presidentin e atëhershëm koreano-jugor, por vizita nuk u realizua asnjëherë. Në Kushtetutën e Koresë së Veriut nënvizohet e drejta e besimit, por një raport i Kombeve të Bashkuara i 2014, nënvizonte se të krishterët përballeshin atje me persekutim dhe dënime të rënda nëse praktikonin besimin e tyre jashtë kishave të kontrolluara nga shteti.
Top Channel