Ish-anëtarja e Pussy Riot arratiset nga Rusia: U detyrova të spiunoj për Moskën

19/09/2026 19:37

Një ish-anëtare e grupit punk rus Pussy Riot ka rrëfyer se u detyrua të bashkëpunonte me shërbimin sekret rus FSB dhe të infiltronte qarqet e opozitës, pasi autoritetet e kërcënuan me ndjekje penale.

Një ish-anëtare e kolektivit punk rus Pussy Riot ka rrëfyer se u detyrua të bashkëpunonte me shërbimin sekret rus FSB dhe të infiltronte qarqet e opozitës, pasi autoritetet e kërcënuan me ndjekje penale.

Rita Flores, 29 vjeç, e cila ishte aktive me Pussy Riot që prej vitit 2020, u largua nga Rusia muajin e kaluar, pas rreth tre vitesh bashkëpunimi me inteligjencën ruse. Në një intervistë për “The Guardian”, ajo tha se vendimi për t’u larguar erdhi pasi iu kërkua të merrte pjesë në një operacion kundër një aktivisti pro-ukrainas.

Flores pretendon se u rekrutua nga FSB në shkurt të vitit 2023, në një kohë kur ishte nën vëzhgim nga autoritetet për kritikat e saj ndaj veprimeve ushtarake ruse në Ukrainë në rrjetet sociale.

Sipas rrëfimit të saj, agjentët e inteligjencës e shantazhuan duke i thënë se do të nisnin procedura penale ndaj saj nëse nuk pranonte të bashkëpunonte.

“Besoja se ata mund të bënin çfarëdo që thoshin”, tha Flores, duke shpjeguar se frika për veten dhe familjen e saj e detyroi të pranonte.

Pas rekrutimit, ajo thotë se kreu disa misione, kryesisht për mbledhjen e informacioneve rreth personave të lidhur me opozitën ruse.

Sipas Flores, një prej detyrave më të rënda ishte ajo që lidhej me aktivistin pro-ukrainas Pyotr Verzilov, i cili ishte larguar drejt Ukrainës pasi kishte qenë i lidhur me Pussy Riot.

Ajo pretendon se eprorët e saj në FSB i kërkuan të udhëtonte në Serbi për ta takuar Verzilovin dhe për ta ndihmuar në ngritjen e një kurthi me qëllim vrasjen e tij.

Para se ky plan të realizohej, Flores thotë se kërkoi ndihmën e një avokati, mblodhi gjërat e saj dhe u largua nga Rusia.

Tashmë, ajo synon të flasë publikisht për përvojën e saj dhe mënyrën se si, sipas saj, Kremlini përdor persona të infiltruar në qarqet e opozitës.

Flores e përshkroi këtë si një “fenomen masiv”, ndërsa foli edhe për presionin ndaj komunitetit artistik rus.

Sipas saj, njerëzit që kanë qëndruar në Rusi janë detyruar të pranojnë rregullat e vendosura nga autoritetet. “Shkon në një galeri dhe çdo vepër mund të ketë një tabelë që thotë: ‘Na ndalohet të themi asgjë’”, tha ajo.

Rrëfimi i Flores është publikuar nga “The Guardian” dhe përmban pretendimet e saj mbi periudhën e bashkëpunimit me shërbimet ruse dhe arsyet që e çuan atë të largohej nga vendi.

Top Channel