Kostot përgjysmojnë mbjelljet, fermeri ul sipërfaqen nga 180 në 80 hektarë dhe shkëmben silazhin me lopë Përmes Eurobondit të emetuar të martën, qeveria shqiptare mori 500 milionë euro hua nga tregjet financiare. Ky borxh do të shlyhet për 7 vjet dhe norma e interesit që qeveria do të paguajë është 3.5 për qind në vit. Pra në krye të 7 vjetëve, buxheti I shtetit do të paguajë mbrapsht 500 milionë euro principal plus 122.5 milionë euro të tjera interesa. Por si qëndron ky interes në raport me borxhin ekzistues?
Kjo është hera e tretë që Shqipëria merr hua në tregjet ndërkombëtare. Dy herët e shkuara kanë qenë në vitin 2010 dhe në 2015-ën. Në të dyja rastet është marrë borxh 5-vjeçar, pra me afat më të shkurtër maturimi, dhe interesi ka qenë respektivisht 7.6 për qind dhe 5.75. Rrjedhimisht Eurobondi i tanishëm, është borxhi me interesat më të ulëta që Shqipëria ka marrë ndonjëherë në treg të lirë.
Arsyet për këtë janë dy. Së pari rënia e interesave në tregjet europiane për shkak se banka qendrore ka injektuar miliarda euro për të nxitur ekonominë. Ndërsa arsyeja e dytë është rritja e besimit që investitorët e huaj kanë tek ekonomia shqiptare, duke e vlerësuar atë si më të sigurt se sa më parë.
Por a është eurobondi i ri automatikisht rritje e borxhit? Përgjigja është jo. Borxhi publik kontrollohet nga parlamenti, i cili në çdo fillim viti i cakton qeverisë në buxhet shumën e borxhit që ajo lejohet të marrë. Për vitin 2018, kufiri i borxhit që qeveria mund të marrë është 256 milionë euro ose 2 për qind e prodhimit kombëtar. Por qeveria mori 500 milionë euro, pasi 244 milionë do i përdorë për të shlyer para afatit borxhet e marra në të shkuarën me interesa më të larta.
Top Channel