Tifozët e Partizanit të Beogradit djegin ndenjëset në stadium, nëntor 2013

Derbi që bën gjithë vendin të mbajë frymën dhe që pushton titujt e gazetave, por për arsyet më të gabuara.

Partizani i Beogradit priti Yllin e Kuq, në një prej rivaliteteve më të hidhura futbollistike të gjithë Europës.

BBC Sports vëzhgon Derbin e Përhershëm, me menaxherin e Fulhamit, Slavisa Jokanovic, një ish lojtar, menaxher dhe tifoz i Partizanit të Beogradit, dhe me mbrojtësin e Yllit të Kuq, Milos Degenek, dhe Darko Nikolic, gazetar për serben Blic.

Ndeshja që dominon në të gjithë Serbinë

Ylli i Kuq e fitoi derbin më të fundit këtë prill, në një ndeshje që mbeti pezull për disa minuta teksa tifozët goditën njëri-tjetrin me ndenjëse. Ylli i Kuq vazhdoi dhe fitoi titullin.

Stadiumet e Yllit të Kuq dhe Partizanit janë vetëm 12 minuta në këmbë në periferinë “Autokomanda” të Beogradit, por kjo lojë është më shumë se derbi. Është rivaliteti që përçan dhe bashkon të gjithë vendin.

“Kur vjen puna te rivaliteti i Beogradit, Serbia ka dy qëndrime”, thotë Nikolic për BBC Sport. “Ose je tifoz me Yllin e Kuq, ose me Partizanin. 50% ndoshta janë me Yllin e Kuq, 45% ndoshta me Partizanin. Ata që nuk mbështesin asnjërin apo që janë me klube të tjera mund të jenë 5%”.

Jokanovic është rritur në Novi Grad, 100 km larg Beogradit, por ka qenë tifoz i Partizanit. Gjatë tre viteve që ka luajtur për klubin, ka fituar dy kampionate rresht, atë të vitit 1992 dhe 1993. Më pas e menaxhoi klubin për dy kampionate të tjera, 2007-08 dhe 2008-2009.

“Për këtë ndeshje flet i gjithë vendi, jo vetëm qyteti”, tha ai për BBC Euro Leagues Football Show. “Është derbi midis dy ekipeve më të famshme në Serbi, dhe për dy ekipet më të famshme në gjithë Jugosllavinë e dikurshme. Është një ditë e veçantë për tifozët e secilit ekip. Njerëzit e diskutojnë ndeshje disa ditë para se të zhvillohet.

“Ylli i Kuq është ekipi më i famshëm. 55% ose 60% janë me ata. Unë jam me Partizanin. Jam shumë i lumtur me zgjedhjen time. I kam mbrojtur ngjyrat e tyre me krenari, në të mirë e në të keq”.

Nikoliç, që jeton në Beograd, thotë: “S’është çudi që dhurata e parë që i bëhet një bebeje të jetë diçka me logon e Partizanit apo Yllit të Kuq”.

Rivaliteti shkon përtej futbollit. Të dy klubet kanë ekipe në sporte të ndryshme, diçka e zakonshme në Europën kontinentale.

“Ndezim fishekzjarrë edhe kur ka ndeshje basketbolli. Ndonjëherë edhe në hendboll apo volejboll. Të dyja kanë ekipe në 20 sporte të ndryshme. Kështu që mundësitë për derbi janë 20 herë më të larta”, thotë Nikolic.

A ka po aq dhunë sa dikur?

Derbi i Beogradit ka një lidhje të gjatë me dhunën. Sidomos në vitin 1999, kur një tifoz adoleshent i Yllit të Kuq vdiq nga një objekt i hedhur nga tifozët e Partizanit.

Në vitin 2013 u arrestuan 103 veta përpara, gjatë dhe pas përplasjeve. Në një derbi tjetër po në të njëjtin vit, tifozët i vunë zjarrin ndenjëseve gjatë ndeshjes.

Një derbi në vitin 2015 u vonua për 45 minuta, pasi tifozët nisën të hedhin flakadanë dhe të përleshen me policinë. Kur loja më në fund nisi, tifozët hodhën shashka rrotull fushës.

Jokanovic thotë: “Është e vështirë. Ndonjëherë ndeshjet marrin për ters. Për njerëzit jashtë vendit mund të duket interesante, por ne jemi lodhur me këtë situatë.

“Është ende një nga derbit më të mëdha në të gjithë botën. Ne duam më shumë cilësi dhe futboll më të mirë, pak më shumë qetësi mes turmës dhe pa dhunë”.

Pavarësisht këtyre, gazetari Nikolic thotë se sot gjërat janë më të qeta se dikur.

“Dhuna nuk është më si në vitet 1990, kryesisht sepse policia është më e gatshme dhe tani ka ligje më të ashpra kundër shkelësv”.

“Por ka ende rrezik që të ndodhin përlasje, pasi njerëzit vijnë nga çdo vend. Jo vetëm nga Serbia, por nga vende të tjera të Ballkanit dhe të Europës. Tifozët e Yllit të Kuq kanë lidhje të forta me “vëllezërit” nga Spartaku i Moskës dhe Olimpiakos.

“20 nga tifozët e arrestuar në vitin 2013 ishin nga Bosnja, katër nga Rusia dhe një nga Greqia.

“Në stadium nuk ka më përplasje mes rivalëve, sepse janë vendosur gardhe të forta dhe numër i lartë policësh e rojash. Por dhuna mund të vijë nga djegiet. Ndonjëherë është e frikshme. E kuptoj se pse prindërit nuk i marrin fëmijët në ndeshje të tilla”, tha Nikolic.

“Rivaliteti mes tifozëve është aq i madh se s’kanë nevojë për një derbi që të përplasen. Shumë tifozë të zakonshëm, që ndjekin ndeshjet normalisht, refuzojnë të shkojnë te ndeshjet e Yllit të Kuq dhe Partizanit për shkak të dhunës.”

Problemi duket se është në formë cikli, teksa Jokanovic thotë se derbi ka pasur më pak dhunë gjatë komunizmit. Por shton: “Nuk e di pse. Nuk e shpjegoj dot.”

“Tani ka më pak tifozë se kur luaja unë. Unë luaja me 55,000 deri në 100,000 tifozë në një stadium, por tani ka më pak, për shkak të rregullave të UEFAs.

“Kam parë shumë ndeshje nga tribuna e ultrasve. Ka qenë më qetë se tani, pa dhunë.”

Për vëzhguesit nga vendet e tjera mund të duket e çuditshme që derbi nuk ka njëanshmëri politike, duke ditur historinë e Ballkanit.

Të dy ekipet janë formuar në vitin 1945, pas Luftës së Dytë Botërore. Partizani u formua nga ushtria dhe Ylli i Kuq nga policia.

“Njerëzit që ishin ushtarakë, dhe Jugosllavia komuniste kishte shumë të tillë, ishin me partizanin”, thotë Nikolic. “Të tjerët nga Serbia dhe nga pesë republikat jugosllave kishin gjigantët e tyre të futbollit dhe bëhehsin tifozë me Yllin e Kuq.”

“Por me kalimin e dekadave, këto ndasi u harruan. Para konfliktit të përgjakshëm, tifozët e klubeve më të mëdha serbe e kroate, si Dinamo i Zagrebit dhe Hadjuk Split, nisën të identifikohen me klubet e republikave të tyre.

“Nuk ishte më Dinamo kundër Yllit të Kuq, por Serbia kundër Kroacisë. Një prej ndeshjeve të tyre në vitin 1990 njihet edhe sot si ndeshja që nisi luftën.

Kapiteni i Dinamos, Zvonomir Boban, sulmoi një polic pasi shpërtheu një sherr me tensione nacionaliste mes serbëve e kroatëve.

Nikolic vazhdon: “Pas ndarjes së Jugosllavisë, tifozët e Yllit të Kuq dhe partizanit u bashkuan kundër policisë së Milosheviçit, por ai ka qenë i vetmi bashkim, përveç disa rasteve që ishin bashkuar kundër tifozëve kroatë. Që nga viti 2000 nuk ka ndodhur asgjë e tillë. Tani është vetëm për sport, jo për politikë.”

Jokanovic thotë: “Nuk gjej dot lidhje midis situatave politike dhe kohëve të ndërlikuara. Nuk besoj se kjo situatë politike ia shton dhunën sportit.

“Ka shumë raste kur njerëzit e të njëjtës familje mbështesin ekipe të ndryshme.”

Si është derbi sot?

Jokanovic ka një pikëpamje të informuar për derbin, pasi ka parë shumë ndeshje si tifoz, si lojtar dhe si menaxher.

“Çasti më i bukur për lojtarët, tifozët dhe trajnerët e Partizanit është fitorja. Unë kam më shumë fitore se humbje. Humba një ndeshje si lojtar dhe një si trajner. Kam qenë me 15 ose 16 ndeshje”, tha ai për BBC Radio 5.

“Mbaj mend një derbi nga fëmijëria. Isha tifoz i Partizanit të Beogradit. Kam parë shumë derbi të Beogradit. Kemi të dy palët ultras shumë të fortë, dhe kjo mund të jetë e rrezikshme.

“Kam parë, kam luajtur e kam qenë si trajner në këto ndeshje. Nuk habitem më me asgjë. Por ka shumë zhurmë. Është e pabesueshme. Mbaj mend kur luajta në një ndeshje që ishte e pamundur të shkoje te shokët e ekipit e t’u jepje udhëzime. Mund të lëvizësh duart, por nuk bisedon dot”.

Stadiumi i Yllit të Kuq, i njohur edhe si Marakana, ka dikur mbante 100,000 tifozë. Stadiumi i partizanit kishte 55,000, por në të dy vendet është ulur numri i tifozëve për shkak të rregullave të UEFA-s.

“Kam luajtur kundër një prej ekipeve më të rëndësishme të Yllit të Kuq, në fillim të viteve 1990, kur ishin Kampionë Europe dhe kampionë bote”, thotë Jokanovic.

“Ndeshja përpara 100,000 tifozëve ishte me një atmosferë shumë të madhe. Kishte turma të mëdha dhe ultra që e mbështetnin ekipin pa pushim. Ndonjëherë është e pamundur të dëgjosh se ç’po ndodh rrotull teje.

“Tifozët kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në derbi. Në fund të ndeshjes njerëzit e shohin se kush e fiton ndeshjen në tribuna. Nuk është normale për futbolli anglez, por ky është emocioni’.

Nikolic shton: “Mund të shohësh njerëz të zakonshëm, seriozë, që shkojnë në zyra me shalle të Partizanit apo të Yllit të Kuq, kur ka derbi”.

BBC World Football foli me mbrojtësin e Yllit të Kuq, MIlos Degfenek. 24 vje1ari e ka mbështetur klubin që në fëmijëri. Ai është detyruar të bëhet refugjat për dy herë rresht, kur ishte fëmijë. Në vitin 1999 e la Serbinë dhe bashkë me familjen shkoi në Australi.

Këtë verë u bashkua me klubin e të rinjve dhe është gati të bëjë debutimin e parë në derbi. “Kur eci në rrugë, marrim vetëm komente pozitive, ngaqë Ylli i Kuq u fut në Champions League”, tha ai për BBC World Service.

“Nuk besoj se gjërat do të ndryshojnë po ta humbim derbin. Ne duam të vendosim autoritetin tonë në këtë ligë, por  s’do të jetë e mundur. Derbi është gjithnjë një ndeshje e vetme. Të gjithë duan të fitojnë dhe është ndeshje e vështirë. Kam dëgjuar se ç’do të thotë të luash për to, ndaj dua të përgatitem mirë për këtë ndeshje”.

Periudha përgatitore për këtë ndeshje në Beograd ka qenë më e heshtur se zakonisht, pasi Ylli i Kuq u kthye në Champions League pas 26 vitesh.

Ata barazuan 0-0 me Napolin në shtëpi këtë të martë, përpara 50,000 tifozëve, në ndeshjen e parë në grup për Champions League që nga viti 1992.

“Derbi është pak ndryshe tani, sepse tifozët e Yllit të Kuq janë përqendruar në Champions League. Por njerëzit vazhdojnë të mendojnë për ndeshjen e të dielës. Është derbi shumë i nxehtë”, tha ish drejtues i Uatfordit, Jokanovic.

Nikolic shtoi: “Emocionet e Yllit të Kuq duhet të rikthehen për ndeshjen më të madhe nga të gjitha. Edhe po të ndodhë, mjafton për fitore në fushë të Partizanit?”

BBC

Top Channel