Në shkollën “Ali Demi” janë rreth 500 nxënës të klasave të para deri tek e katërta, që librat shkollorë i përfitojnë falas. Por, ekziston gjithashtu një familje në këtë shkollë, që nuk i ka marrë ende librat falas, arsye për të cilën drejtoresha e shkollës, e shoqëruar nga mësuesja kujdestare iu drejtua shtëpisë së 10-vjeçares për t’ia dhuruar personalisht tekstet e klasës së katërt.
Përpara pallatit priste Artemisa, mamaja e Justrës, e cila është përgatitur familjarisht për të marrë librat e vajzës, që po e pret me padurim këtë dhuratë.
“Justra është në klasën e katërt. Jam e bindur që do të marrë 10-a dhe që do t’i bëjë krenarë prindërit”, tha Dorina Kuka, drejtoreshë e shkollës “Ali Demi”.
“Ndihem shumë mirë kur më dhurojnë libra, jam e lumtur. Por, duke qenë në dijeni të detyrimit për të mos i zhgarravitur apo grisur librat, sepse do t’ia kthej një shoku në fund të vitit, premtoj se do t’i mirëmbaj, do të tregohem e rregullt”, tha Justra Sytari, nxënëse.
Në sytë e prindërve, gëzimi i fëmijës shumëfishohet. Megjithëse në këtë rast, mosblerja e librave është ndihmë e madhe financiare për ta.
“Është ndihmë e madhe, sepse siç e shikoni ne jemi familje e madhe. Nëse do t’i blinim, do të kushtonin pak mbi 3.000 lekë. Do t’i përdor për mjetet shkollore. Uroj që vitin tjetër të përfitojnë të gjitha klasat, deri tek e 9-a”, tha Artemisa Sytari, mamaja e Justrës.
Në të gjithë Shqipërinë janë 125 mijë nxënës që kanë përfituar tekste falas nga klasa 1-4, një kosto prej 610 milionë lekësh, që për herë të parë paguhet 100% nga buxheti i shtetit.
Top Channel