Mazhoranca në Komisionin e Ekonomisë do t’i kërkojë Parlamentit rrëzimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta, i cili sillte për rishqyrtim ligjin për tatimin mbi të ardhurat, pasi, sipas tij, ulja e barrës fiskale për lojrat e fatit stimulonte këtë industri, duke krijuar efekte negative në aspektin social dhe ekonomik.
Por, ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se ligji nuk ndryshon tatimin mbi fitimin për kompanitë e basteve, por rrit taksimin për Lotarinë Kombëtare, duke e çuar nga 10 në 15%, aq saç është për të gjithë këtë industri.
“Unë besoj që ata që kanë këshilluar Presidentin, e kanë këshilluar gabim. Ligjit rrit ngarkesën fiskale për atë kompani që ishte përjashtuar nga taksimi prej 15%”, tha Ahmetaj.
Tatimi mbi fitmin do të matet mbi të ardhurën që u mbetet kompanive pas likuidimit të lojtarëve fitues. Ahmetaj tha më tej se më 1 janar të vitit 2019, të gjitha lojrat e fatit elektronike do të hiqen nga qendrat e qyteteve: “Në 1 janar nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike”.
Kurse për lotot sportive do të ketë një tjetër standard: “Rrallim basteve 1 në 200 metra”.
Dekreti i Presidentit do të kalojë për shqyrtim në seancë plenare dhe nëse do të rrëzohet ligji, hyn automatikisht.
Top Channel