Sot starton “Top Talk”. Një dritare e re informative në Top Channel, çdo ditë në orën 15:45

03/09/2018 08:46

Çdo ditë një problematikë dhe një i ftuar që do të përballet me të vërtetën. Duke nisur nga e hëna, me emisionin më të ri në Top Channel, “Top Talk”, ngjarjet nuk do të kalojnë në heshtje, të ftuarit do të përballen me fakte dhe realitetin, të cilin publiku do ta shquajë si problematikë.

Gazetari Denis Dyrnjaja do të jetë zëri juaj. Në faqen web të Top Channel do të keni hapësirën tuaj për të bërë pyetjen, e cila do të ketë gjithmonë një përgjigje.

“Ky është një ishull i ri informativ, në hapësirën e madhe informative që Top Channel sjell për publikun. Mendoj që do të jetë një dritare ku gjërat do të thuhen ashtu siç duhet të thuhen. Pra, e kemi projektuar si një ide që pyetja ime të jetë pyetja e publikut ose pyetja e publikut të jetë edhe pyetja ime. Përsa kohë që këto të dyja bashkërrugëtojnë, pra pikëtakohen, atëherë interesi publik është i pakompromentuar dhe ky është misioni ynë”, shpjegon gazetari Denis Dyrnjaja.

Një emision intensiv, i përditshëm me personazhe të jetës politike apo publike në “Top Talk”, çdo ditë në orën 15:40 duke nisur nga 3 shtatori.

“Do të jemi në një projeksion, i cili do të jetë i shkurtër nga pikëpamja televizive, nuk do t’i lodhim njerëzit. Do të jemi konçizë, do të jemi të strukturuar për të marrë atë që duhet në pak minuta”, shprehet Denis Dyrnjaja.

Top Channel