Një grup zyrtarësh dhe ish zyrtarësh amerikanë nga i gjithë spektri politik do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të së shtunës për Senatorin John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare. Në ceremoninë që do të mbahet në Katedralen Kombëtare në Uashington do të flasin ish-Presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush si dhe ish-sekretari i shtetit Henry Kissinger dhe ish senatori Joseph Lieberman.
Ndërkaq, dje pasdite Presidenti Donald Trump komentoi për herë të parë për senatorin e ndjerë pas një heshtjeje publike që zgjati dy ditë. Komentet erdhën pas një proteste nga grupet e veteranëve.
Krisja Trump-McCain, as vdekja e senatorit nuk e riparon
Në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë për nder të udhëheqësve evangjelistë, Presidenti Trump ofroi vlerësime për senatorin McCain, i cili ishte gjithashtu ish-rob lufte, avioni i të cilit u rrëzua në Vietnam.
“Zemrat dhe lutjet tona janë me familjen e Senatorit John McCain. Do të ketë shumë aktivitete në ditët e ardhshme dhe ne vlerësojmë shumë gjithçka që Senatori McCain ka bërë për vendin tonë. Faleminderit”
Senatori John McCain, letër lamtumire
Përpara komentit të së hënës, presidenti Trump nuk përfilli pyetjet e gazetarëve rreth senatorit McCain, duke lënë shumë njerëz të dyshonin se presidenti Trump nuk e kishte kapërdirë dot humbjen që i shkaktoi vota e senatorit McCain ndaj përpjekjeve të presidentit për të shfuqizuar aktin e kujdesit shëndetësor, të njohur si “Obamacare”.
Ndryshimi i qëndrimit të Presidentit Trump nga presioni i grupeve të veteranëve për të ulur në gjysmë shtizë flamujt në Shtëpinë e Bardhë për nder të senatorit McCainit, nxiti spekulimet se presidenti mund të ruante inatin ndaj senatorit McCain, i njohur për “fjalën e drejtpërdrejtë”. Para vdekjes së tij, senatori McCain kërkoi që presidenti Trump të mos merrte pjesë në asnjë ceremoni për të. Nënpresidenti Mike Pence, me të cilin McCain shërbeu në Kongres, do të marrë pjesë në një ceremoni në Kongres të premten dhe tre anëtarë të kabinetit të presidentit Trump do të marrin pjesë në përkujtimoret e kësaj jave.
Mesazhi i fundit i McCain për Trump
Trupi i senatorit McCain, veteran i luftës dhe burrë shteti, do të vendoset në sallën e Kongresit në Uashington para funeralit të tij të dielën. McCain do të varroset në Akademinë Detare në Annapolis të Merilendit, ku ai ka studiuar.
Gjatë fjalimit për evangjelistë të hënën, presidenti Trump gjithashtu ofroi lutje dhe ngushëllime për viktimat e incidentit në Xheksonvil të Floridës, ku një person vrau dy njerëz dhe plagosi disa të tjerë para se të merrte jetën e tij në një kampionat lojrash elektronike.
Top Channel