Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës është ndër më të kërkuarit dhe ndër të parët që shpallën listat me fituesit, që në datën 24 gusht. Kjo për të shmangur pritjen dhe ankthin që përjetojnë aplikantët dhe familjarët e tyre.
Janë disa fakultete si Juridiku, Shkencat Sociale dhe Gjuhët e Huaja që i kanë shpallur fituesit në faqet e tyre zyrtare. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule thotë se shpalljen e fituesve e bënë 4 orë pas nxjerres së të dhënave nga Qendra e Studimeve Arsimore. Në bazë edhe të ligjit për arsimin e lartë, dekani ka të drejtë ta ndërmarrë këtë hap.
“Kemi 1355 kuota pranimi, bashkë me filialin tonë në Sarandë. Nëse do të regjistroheshin që të gjithë, do të mbeteshin 380 vende bosh. Por, nga përsëritjet që kemi, vetëm me një fakultet tjetër Drejtësinë, atëherë do të liroheshin edhe 120 vende, pra menjëherë 500 vende të lira”, thekson Kule.
Studenti duhet të paraqitet fizikisht pranë sekretarisë së fakultetit me dokumentacionin përkatës: “Paraqitet për regjistrim te ne në datat 30-31. Kjo është faza e parë 48-orëshe. Që në orën 08:00 mund të paraqitet deri në 16:30.
Fakulteti i Ekonomisë dhe filiali i tij në Sarandë u përballën me një fluks aplikimesh: “Ka 20 320 aplikime, 10 850 aplikantë”.
Niveli i aplikantëve është shumë i lartë, thekson me krenari dekani Kule: “Financë, biznes dhe informatikë ekonomike i kemi në nivel shumë të lartë. Me mesatare 9,6 kemi fituesin e fundit”.
Top Channel