Zëdhënësi i Kancelares gjermane, Steffen Seibert njoftoi se Angela Merkel dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë diskutuar në një bisedë telefonike lidhur me situatën në Siri, Ukrainë, por janë ndalur në mënyrë të veçantë edhe te Ballkani Perëndimor.
Agjencia e lajmeve “Reuters” citon Seibert të pohojë se, dy udhëheqësit kanë ndarë shqetësimet e tyre mbi situatën në Ballkan, pa dhënë shumë hollësi.
Biseda vjen në një kohë intensifikimi të debateve rreth normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh, e dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje.
Përmes këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, u mësua cili është qëndrimi zyrtar i Amerikës për këtë çështje: nëse palët merren vesh, Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë në rrugën e tyre.
Ndërkohë, Merkel deklaroi më herët gjatë muajit se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, qëndrim ky të cilit i bën jehonë edhe Britania e Madhe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshjeje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.
Top Channel