Debati për rimbursimin e fermerëve/ Ndryshimi i skemës kombëtare, opozita polemika me ministrin Salla për fondin 160 mln euro

03/03/2026 20:04

Në Komisionin e Bujqësisë, ministri Andis Salla, tregoi ndryshimet e Skemës së Re Kombëtare 2026.

Por sipas deputeteve opozitarë, buxheti i kësaj ministrie nuk shkon tek fermerët por në zëra që nuk sjellin zhvillim të sektorit.

“Unë shpresoj zoti ministër që ju të vendosni gishtin në plagë. Këto 160 mln euro që janë vendosur për bujqësinë më shumë se 60% e tyre nuk shkojnë tek fermeri”, tha deputeti i PD-së, Xhelal Mziu.

“Buxheti total përfshin të gjithë investimin edhe të infrastrukturës, kullimit dhe argjinaturës, hidrovor. Nëse i ke dërguar ujin fermeri i ke dërguar shërbimin”, u shpreh zv.ministri i Bujqësisë dhe zhvillimit Rural, Dhimo Kote.

“Ky është një raport i zhdrejtë ne japim më pak se 40%”, tha Mziu.

Edhe kësaj here pjesë e diskutimeve u bë sërish rimburisimi i tvsh për fermerët, ku sipas deputetit demokrat Bledjon Nallbati kjo skemë do të jetë dështimi i radhës i ministrisë të bujqësisë dhe financave.

“Unë  e shoh më problem atë që lidhet me TVSH-në sepse grumbulluesit që do të lëshojnë auto-faturën do të mbingarkohen me TVSH dhe nuk do të lëshojnë shumë fatura”, deklaroi Nallbati.

Por sipas ministrit Salla inspektorët e tatimeve do të bëjnë të mundur që rimburisimi i TVSH të shkoj tek fermeri.

“Ministria e Financave që kjo do të funksionojë me kontrollin e tatimeve ne do të akordojmë edhe një numër që të bëjnë denoncimet në rast se ndonjë nga bizneset nuk do të jetë korrekt me fermerët”, tha Salla.

Sipas opozitës zgjidhja nuk gjendet nëpërmjet rrugës së presionit

“Nuk do të keni shans që ta zgjidhni me dajak”, tha Nallbati.

“Ne se kemi në vizion pjesën e dajakut por ne monitorojmë të gjithë proceset dhe atë çfarë i kemi akorduar fermerit të shkojnë në xhepat e fermerëve shqiptarë”.

Temë diskutimi u bë edhe çështja e fondeve të IPARD-it ku ministri i bujqësisë nuk ka dhënë një datë se kur do të çelët ky program.

Top Channel