Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur poshtë si “plotësisht të pavërteta dhe të qëllimshme” deklarimet e bëra sot nga Partia Demokratike rreth procedurave të miratimit të lejes minerare për shfrytëzim mineralesh dhënë subjektit “Inerte Expres” sh.p.k.
Partia Demokratike pretendon se leja minerare në fjalë është miratuar pa një procedurë gare, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron median dhe opinionin publik se e gjithë procedura, që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit.
“Në datën 11.07.2014, ora 10:00 është zhvilluar procedura e hapjes së ofertave për këtë zonë minerare. Për këtë zonë konkuruese, subjekti “Inerte Expres” sh.p.k. ka depozituar të gjithë dokumentacionin e kërkuar ligjor. Në këto dokumente vërtetohet se shoqëria “Inerte Expres” sh.p.k, me përfaqësues Mond Bega nuk ka detyrime ndaj personave fizik, juridik, privat apo shtetëror (përmbarimi); nuk ka proces gjyqësor penal në gjykatë (vërtetimi i gjykatës); nuk ka procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij (vërtetimi i prokurorisë)”, lexohet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Njoftimi vijon: “Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se subjekti “Inert Expres” sh.p.k. ka disa vite që ushtron aktivitetin në industrinë minerare. Për dijeninë e deputetit të ri Ervin Salianji, ky subjekt është pajisur në datën 08.09.2009 me leje shfrytëzimi për vendburimin “Kodra e Shulcit” Mamurras, firmosur nga ish-ministri i Partisë Demokratike në atë kohë”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi paraditen e së hënës se “Edmond Bego, miku trafikant droge me 5 emra i Taulant Ballës, nuk ka përfituar vetëm para’ publike në kundërshtim me ligjin, por ka përfituar edhe pasuri publike”.
Top Channel