Shfaqjet kulturore kanë qenë më të shumta në tremujorin e parë të këtij viti, por spektatorët kanë qenë më të paktë në raport me një vit më parë.

Sipas Institutit të Statistikave janë 344 shfaqje të vëna në skenat shqiptare në periudhën janar-mars 2018, 61 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, por përveç Teatrit Kombëtar Eksperimental, i cili rezulton të ketë më shumë spektakorë, mesatarja në institucionet e tjera duket më e ulët.

Edhe një vit më parë, Teatri Kombëtar Eksperimental rezultoi institucioni më i suksesshëm kulturor, me më shumë shfaqje dhe spektatorë që i kanë ndjekur ato.

Referuar tabelës së publikuar nga INSTAT, Teatri Eksperimental ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve, plot 207, ndërsa Teatri i Operas dhe Baletit ka humbur rreth 140 shikues për çdo shfaqje.

Rënie ka pësuar edhe Teatri i Kukullave, por edhe Teatri Kombëtar, kjo lidhur edhe me problematikën dhe protestat që kanë shoqëruar prej muajsh këtë ndërtesë. Ndërsa Arkivi Qendror i Filmit rezulton në shifra shqetësuese, pasi ka vetëm 22 vizitorë që ndjekin aktivitetet e këtij institucioni.

E kundërta mund të thuhet për muzetë, që kanë shënuar një rritje prej 84 % të vizitorëve, e po ashtu edhe kalatë, muzetë, parqet arkeologjike në rang vendi gjithashtu kanë një kurbë pozitive krahasuar me tremujorin e 2017-ës, duke u vizituar nga 60 % më shumë turistë se një vit më parë.

Në gjendje shqetësuese shfaqet edhe situata në Bibliotekën Kombëtare, ku numri i frekuentuesve ka pësuar rënie me rreth 86 %. Edhe numri i titujve të afishuar është ulur ndjeshëm në rreth 63% duke e renditur Bibliotekën Kombëtare ndër institucionet kulturore që tremujorin e parë të këtij viti ka pësuar regres krahasuar me një vit më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA