Kostoja, që qytetarët do të paguajnë për rrugën Milot-Balldren u rrit me gati 50 milionë euro në vetëm pak muaj. Top Channel publikon dokumentet zyrtarë që tregojnë se si fatura e rrugës u shtrenjtua me 41.5 për qind nga dhjetori i vitit të kaluar deri në momentin e hapjes së tenderit.

Ky është relacioni zyrtar i buxhetit të shtetit për vitin 2018, ku janë listuar të gjitha projektet e koncesioneve si ekzistuese ashtu dhe ato të planifikuara së bashku me vlerat e tyre përkatëse.

Për rrugën Milot Balldren, vlera totale e koncesionit që qeveria ka paraqitur në buxhetin e shtetit është 14.2 miliardë lekë. Por 7 muaj më vonë, kur shpalli hapjen e tenderit, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur si fond limit për rrugën vlerën 20.1 miliardë lekë. Saktësisht 6 miliardë lekë ose 50 milionë euro më shumë se sa vlerësimi zyrtar i po vetë qeverisë.

Por edhe shifra prej 20.1 miliardë lekë është vetëm kostoja e ndërtimit. Meqenëse rruga do të ndërtohet me paratë e vetë privatit, qeveria gjatë shlyerjes me këste do të paguajë edhe interes. Duke përfshirë interesin dhe mirëmbajtjen për 13 vjet, në total fatura që qeveria do I paguajë koncesionarit privat për rrugën Milot-Balldren shkon në 27 miliardë lekë ose plot dy herë më shumë nga vlera e parashikuar në buxhet.

Dhënia në seri e koncesioneve të mëdha për veprat publike ka ngritur jo pak shqetësime për kostot që duhet të paguajnë qytetarët. Qeveria thotë se nuk ka para ti ndërtojë këto rrugë përmes buxhetit ndaj ka zgjedhur t’ja japë me koncesion privatëve. Por për shumë ekspertë ndërtimi i rrugëve me koncesion nga privatët rrit faturën, e cila në fund do të paguhet gjithmonë nga paratë e qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA