Irani gati të rikthejë programin e pasurimit të uraniumit

18/07/2018 21:51

Irani ka ndërtuar një fabrikë që mund të prodhojë rotorë deri në 60 centrifuga në ditë, tha kreu i agjencisë atomike iraniane të mërkurën.

Njoftimi erdhi një muaj pasi kreu suprem Ayatollah Ali Khamenei tha se kishte urdhëruar agjencitë që të përgatiten për të rritur kapacitetin e pasurimit të uraniumit, nëse marrëveshja bërthamore me fuqitë botërore do të bjerë pas tërheqjes së Uashingtonit.

Sipas kushteve të marrëveshjes së vitit 2015, e cila gjithashtu u nënshkrua nga Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania, Irani ra dakord të frenonte programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Presidenti Donald Trump vendosi të tërhiqet nga kjo marrëveshje, ndërsa nënshkruesit e tjerë po përpiqen ta shpëtojnë, duke argumentuar se ajo ofron mënyrën më të mirë për të ndaluar Iranin që të zhvillojë një bombë bërthamore.

Irani ka thënë se do të presë për të parë se çfarë mund të bëjnë fuqitë e tjera, por ka sinjalizuar se është gati të kthejë aktivitetet e saj të pasurimit në rrugë të mbarë. Qeveria iraniane ka thënë rregullisht se puna e saj bërthamore është vetëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe për projekte të tjera paqësore.

Top Channel