“Google” ka konfirmuar se email-e private të dërguara dhe të marra nga përdorues të “Gmail”-it, ndonjëherë, mund të lexohen nga persona të tretë, zhvillues aplikacionesh.
Personat që kanë lidhur app të palëve të treta me llogaritë e tyre, mund t’i kenë dhënë pa e ditur, lejen zhvilluesve të lexojnë mesazhet e tyre. Një kompani, thotë për “Wall Street Journal”, se praktika është e zakonshme dhe e quan atë një sekret të pistë.
“Google” ndërkohë ka lënë të kuptohet se praktika nuk bie ndesh me politikat e saj. Një ekspert sigurie thotë se është për t’u habitur që “Google” e ka lejuar një gjë të tillë.
“Gmail” është shërbimi më popullor i email-it, me 1.4 miliardë përdorues. “Google” i lejon personat të lidhin llogaritë e tyre me mekanizma menaxhimi email-esh, të palëve të treta, apo me shërbime si planifikimi i udhëtimeve dhe krahasimi i çmimeve.
Kur lidhesh me një llogari të një shërbimi të jashtëm, njerëzve u kërkohet të japin disa leje, që shpesh përfshijnë edhe mundësinë për të lexuar, dërguar, fshirë dhe menaxhuar email-in. Sipas “Wall Street Journal”, kjo leje shpesh i lejon punonjës të appve të palëve të treta të lexojnë email-et e përdoruesve.
Ndërsa mesazhet zakonisht procesohen nga algoritma kompjuterike, gazeta ka folur me disa kompani, ku punonjësit kanë lexuar me mijëra mesazhe email-esh.
“Google” ndërkohë thotë se vetëm kompanitë që janë lejuar mund të kenë akses tek mesazhet dhe mund ta bëjnë këtë vetëm nëse përdoruesit kanë dhënë leje për të pasur akses tek email-et. Përdoruesit e “Gmail”, këshillohen të vizitojnë faqen e kontrolleve të sigurisë, për të parë se cilët aplikacione ata kanë lidhur me llogarinë e tyre dhe të fshijnë ata që nuk i dëshirojnë.
Top Channel