Vullkani në Bali, mbyllet aeroporti ndërkombëtar

29/06/2018 11:17

Hiri nga një shpërthim vullkanik bëri që të mbyllej aeroporti ndërkombëtar në ishullin resort të indonezisë, bali. Kjo pasi vullkani në malin Agung u bë aktiv sërish pas një periudhe pauze që nga fundi i vitit të kaluar.

Aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri pasdite dhe 48 fluturime janë anuluar duke prekur 8334 pasagjerë, përfshirë 38 fluturime ndërkombëtare dhe 10 fluturime të brendshme.

Shpërthimi bëri që hiri të ngrihej deri në 2500 metra lartësi dhe flaka ishte e dukshme në kraterin e malit Agung. Vullkani ndodhet në balin veri lindor dhe ka shpërthyer me intensitete të ndryshme vitin e kaluar. në dhjetor, aeroporti u mbyll po ashtu për një periudhë dhe mijëra njerëz përreth vullkanit, u evakuuan.

Autoritetet tani po monitorojnë situatën por niveli i gatishmërisë për shkak të rrezikut që paraqet vullkani nuk është rritur ende.

Kompanitë ajrore evitojnë fluturimin përmes hirit vullkanik pasi ai mund të dëmtojë motorët e avionëve, karburantin, sistemet e ftohjes dhe kufizon edhe shikueshmërinë. Air Asia, Jet Star, Qantas dhe Virgin janë mes kompanive që kanë anuluar fluturimet.

Top Channel