Padi kundër Trump për ndarjen e familjeve emigrante

27/06/2018 09:51

Plot 17 shtete amerikane e kanë hedhur në gjyq administratën “Trump” mbi politikën e ndarjes së familjeve emigrante, të konsideruar prej tyre si mizore dhe të paligjshme.

Aktpaditë i kanë depozituar prokurorët e Përgjithshëm demokratë të këtyre shteteve, që përfshijnë Uashingtonin, Nju Jorkun dhe Kaliforninë. Veprimi ligjor i tyre kundërshton linjën e ashpër të refuzimit të hyrjes së azilkërkuesve në kufirin SHBA-Meksikë.

Ndërkohë, një gjykatëse në Kaliforni ka vendosur që të gjitha familjet e emigrantëve pa dokumente, të ndara në kufirin amerikan, duhet të ribashkohen brenda 30 ditëve. Dana Sabraë deklaroi gjithashtu se fëmijët nën moshën pesëvjeçare duhet të kthehen me prindërit e tyre brenda 14 ditësh, ndërsa i dha të drejtë Unionit Amerikan të Lirive Civile (ACLU) mbi një padi të ngritur për ndarje familjesh.

Dokumentet e paraqitura gjykatës nga “ACLU” përmbanin dëshmi të shumta të prindërve që nuk kanë mundur të gjejnë apo të komunikojnë me fëmijët e tyre pas ndarjes në kufi. Trump është gjendur nën një rrebesh kritikash për politikën e tij të tolerancës zero në kufi, por vet shefi i Shtëpisë së Bardhë fajëson demokratët për këtë situatë, duke thënë se ata “duan të mbrojnë emigrantët e paligjshëm shumë më tepër sesa qytetarët e vendit tonë”.

Javën e kaluar, një projektligj republikan për të kufizuar dhe reformuar sistemin e emigracionit në Shtetet e Bashkuara dështoi në Dhomën e Përfaqësuesve. Një plan alternativ republikan mund të hidhet në votim këtë javë, por edhe ai nuk ka gjasa të miratohet.

Top Channel