Koalicioni arab vendos kushte për paqen në Jemen

27/06/2018 05:47

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se koalicioni arab që po lufton në Jemen kundër rebelëve Houthi, po bashkëpunon me një të dërguar të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftimeve.

Gjithsesi ata theksuan edhe njëherë se kushti i vetëm i panegociueshëm për t’i dhënë fund luftimeve, është largimi i rebelëve nga qyteti port i Hodeidah.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths do të vizitojë sot qytetin jugor të Adenit për të biseduar me presidentin e rrëzuar ABd-Rabbu Mansour Hadi, në kryeqytetin e përkohshëm të qeverisë në mërgim.

Ky hap vjen vetëm një javë pasi përfaqësuesi i OKB-së zhvilloi një takim të ngjashëm me përfaqësues të rebelëve Houthi në Sanaa, javën e kaluar.

Kombet e Bashkuara po kërkojnë një zgjidhje për konfliktin tre-vjeçar që ka vrarë më shumë se 10,000 persona dhe ka shkaktuar krizën më urgjente humanitare në botë, pasi me miliona njerëz që ballafaqohen me urinë dhe sëmundjet.

Houthët kontrollojnë kryeqytetin dhe zonat më të populluara, ndërsa Aleanca e shteteve arabe, të udhëhequr nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, po lufton që nga viti 2015 për të rivendosur qeverinë e Hadi.

Koalicioni filloi sulmin më të madh të luftës këtë muaj në Hodeidah, qyteti kryesor i Jemenit dhe mori aeroportin javën e kaluar, ndërsa vijon beteja për të larguar rebelët Houthi dhe për të marrë nën kontroll edhe portin e qytetit.

Top Channel