Një shumë e konsiderueshme në euro u sekuestrua mesditën e së dielës në Portin e Durrësit.

Sasia e padeklaruar e parave u gjet brenda dy automjeteve tip ”Toyota Yaris”, pa targa. Mjetet ishin pjesë e 9 makinave që transportoheshin me kamionë nga Belgjika dhe mbërritën me traget me linjën e Ankonës në Durrës. Mjetet transportoheshin nga subjekti Edi Lika, i cili është ndaluar nga policia.

Ai është i licencuar për Auto Service në Tiranë dhe transport ndërkombëtar mjetesh për vete, të tretë dhe dhënie me qira. Burime nga policia portuale bëjnë të ditur se janë mbi 4.5 milionë euro që u gjetën pjesërisht në një valixhe dhe të tjera të fshehura në pjesë të ndryshme të mjeteve që po transportoheshin.

Mjetet nuk iu nënshtruan rastësisht kontrollit fizik në port pas zbarkimit nga trageti. Gjithçka erdhi pas një sinjalizimi paraprak të mbërritur pranë autoriteteve shqiptare nga zyra e Europolit në Itali. Dyshohet se rasti është një tentativë për pastrim parash në vendin tonë.

Zyrtarisht mbi sekuestrimin e kësaj shume parash të futur në vend përmes Portit të Durrësit nuk ka dhënë asnjë njoftim paraprak as policia dhe as Dogana e Durrësit, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Po ashtu, vijon edhe kontrolli i mjeteve të tjera që ishin pjesë e të njëjtës ngarkesë, ndërsa në port kanë mbërritur zyrtarët më të lartë të policisë dhe prokurorisë.

Burime policore bëjnë të ditur se 3 të ndaluarit janë Edi (Eduart) Lika, pronar i subjektit transportues, djali i tij, Klevis Lika (19 vjeç), i cili shoqëronte drejtuesin e kamionit në udhëtim dhe shoferi i kamionit, Agim Ceka.

Top Channel