Rezultatet e para të zgjedhjeve në Turqi, kryeson Erdogan

24/06/2018 18:20

Reccep Tayip Erdogan kryeson në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Turqi, me një të pestën e votave të numëruara.

Sipas raporteve të medias shtetërore, Erdogan ka marrë 59% të votave dhe rivali më i afërt i tij, Muharrem Ince, 27%. Nëse Erdogan merr më shumë se 50% të votave në total, ai do të shpallet fitues dhe do të evitojë një raund të dytë votimesh.

Përveç presidencës, zgjedhësit votuan edhe për anëtarët e Parlamentit dhe po sipas mediave shtetërore turke, partia e Erdoganit kryeson edhe këtu. Partia e tij, Drejtësi dhe Zhvillim, kryeson me 55% të votave të numëruara deri më tani, raporton media shtetërore, ndërsa opozita CHP ka 14% të votave.

Këto zgjedhje konsideroheshin si sfida më e madhe elektorale për Erdoganin në 15 vitet e tij në pushtet. Rreth 60 milionë zgjedhës kishin të drejtë vote.
Erdogani fitoi me vështirësi një referendum në 2017 për të kaluar nga sistemi parlamentar në një presidencë të fuqishme ekzekutive. Presidenti, pas këtyre zgjedhjeve, do të ketë fuqi shtesë.

Roli i kryeministrit shkrihet dhe Presidenti merr autoritetin e lëshimit të ligjeve përmes dekreteve.

Turqia mbetet në gjendje të jashtëzakonshme të vendosur që pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016. Këto zgjedhje do të mbaheshin në nëntor të vitit të ardhshëm, por Erdogani i shpejtoi ato.

Gjashtë kandidatë ishin në garën për presidencën dhe nëse balotazhi nuk do të mund të evitohet, atëherë do të shkohet në balotazh më 8 korrik. Zgjedhjet u zhvilluan nën masa të larta sigurie. Vetëm në Stamboll, 38 mijë policë ishin në detyrë gjatë ditës.

Top Channel