Në Korçë u organizua turneu kombëtar i çiklizmit për kategorinë e kadetëve. Në ditën e dytë të këtij turneu u shpall fitues ekipi i Vllaznisë. Skënderbeu bëri një paraqitje mjaft të mirë në këtë garë, duke zënë vendin e tretë në itinerarin prej 80 kilometrash, me çiklistin Pandeli Balozi.
Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku flet për vazhdimësinë e traditës.
“Aktiviteti ka filluar dje në një panoramë shumë të bukur duke filluar nga Pogradeci, mbërritja u bë në Korçë dhe mendojmë që nesër ta mbyllim në drejtim të Doganës, e në fund fare me ‘finish’-in që do të jetë lart në malin e Thatë”, u shpreh Skënder Anxhaku.
Interesi për pjesëmarrjen shtohet çdo vit. Anesti Damo është një prej të rinjve të qytetit, që çiklizmin e ka pasion.
“Unë merrem prej një viti e gjysmë me çiklizëm. Pasioni ka lindur nga miqtë e mi, u futën ata e më pas edhe unë. Është një sport që më le mbresa të mira dhe do ta frekuentoj sa më shumë të mundem”, tha Damo.
Turneu Korça do të mbyllet me etapën më të gjatë të tij, ku çiklistët do të përshkojnë 95 km, në itinerarin Korçë-Pustec-Korçë.
Top Channel