Shtatzënë dhe me burrin pa punë, Kendra Scott duhej të gjente një mënyrë për të bërë parà.

Teksa rrinte shtrirë në shtëpinë e saj, në Austin, Teksas, duke pritur të afronte dita për lindjen e fëmijës së parë, Kendra nisi të vizatojë modele stolish.

Kjo ndodhi në vitin 2002, kur ajo ishte 28 vjeçe dhe kishte vetëm 500 dollarë mënjanë, me të cilat duhej të provonte të hapte një biznes.

Pas lindjes, ajo vendosi të dalë bashkë me djalin dyqan më dyqan, për të shitur vathë e stoli të tjera.

“Pasi krijova koleksionin e parë, lidha djalin pas vetes me mbajtëse trupi dhe i futa shembujt e stolive në një kuti çaji”, thotë Scott, tani 44 vjeçe.

“Shkuam dyqan më dyqan, nëpër butikët e Austinit, për të shitur stolitë. I shita të gjitha që ditën e parë. Aty u bëra me biznes”, thotë ajo.

Kendra mori djalin e sapolindur e nisi të shesë stolitë e bëra vetë, dyqan më dyqan.

Kompania e znjsh.Scott sot vlen 1 miliard dollarë, dhe pasuria e saj është rreth 500 milionë.

Në listën e grave më të pasura në Amerikë, për vitin 2017, ajo ishte në vendin e 36-të, më lart se këngëtare si Taylor Swift apo Beyonce.

E lindur dhe e rritur në Uiskonsin, Scott u shpërngul në Teksas në moshën 18 vjeçare, për të vazhduar universitetin. Por e la shkollën një vit më pas, “për të ndjekur një djalë”, dhe përfundoi duke jetuar në Austin, kryeqytetin e Teksasit.

Pastaj ngriti biznesin, të cilin ka rreth një dhjetëvjeçar që e vazhdon, duke prodhuar edhe kapela të rehatshme për gra që bëjnë në kimioterapi. Frymëzimin e mori nga beteja që humbi babai i saj i ndjerë me kancerin. Një pjesë të fitimeve e dhuroi për spitalet e zonës.

Ideja për stolitë i erdhi pasi kuptoi që ekzistonte një boshllëk i madh në treg. Shumica e stolive ishin ose shumë të shtrenjta, ose shumë të lira, me pak kompani që të ishin midis.

Plani i saj ishte të prodhonte stoli me cilësi që ajo e gra të tjera do të pëlqenin t’i mbanin, por me një çmim më të përballueshëm.

“Çdo grua, pavarësisht gjendjes së saj ekonomike, do të ndihet e bukur dhe me vetëbesim”, thotë ajo.

Dyqanin e pare e hapi ne vitin 2010.

Fillimisht e nisi duke furnizuar dyqane të tjera, pa hapur ndonjë të vetin. Kështu, Kendra Scott Design u rrit me ngadalë, por qëndrueshëm.

Scott thotë se ajo u përforcua duke punësuar njerëz të mirë, të cilët e ndihmuan ta rrisë biznesin në Austin, pavarësisht sfidave në jetën e saj personale. Martesa e saj e parë mbaroi pasi lindi fëmijën e dytë.

“I përqendrova forcat për të ngritur një ekip me njerëz të talentuar, të cilët më ndihmuan të ngre biznesin. Shtatë prej punonjësve të para, të gjitha gra, vazhdojnë të punojnë me mua edhe sot”, thotë ajo.

Në vitin 2010, kompania hapi dyqanin e parë në Austin. Scott thotë që ishte një ndryshim i madh për biznesin, dhe që ajo ishte e vendosur që dyqanet e saj të stolive do të ishin ndryshe nga të tjerat.

“Dyqanet e stolive njihen si dyqane që të trembin, dhe që janë shumë formale. Kanë dekorime kadifeje dhe kuti të mbyllura me xham. Unë doja të krijoja një përvojë më të ngrohtë, më ndërvepruese me klientin, e mbi të gjitha, më argëtuese”, thotë Kendra.

Klientët nxiten t’i provojnë stolitë e madje të krijojnë të tyret, duke përzier gurë të ndryshëm me vathë, gjerdanë, byzylykë e unaza.

96% e stafit janë femra

Sot ka rreth 80 dyqane në të gjithë SHBA-në dhe një faqe interneti që i dërgon porositë në të gjithë botën. Veç kësaj, stolitë e saj mbahen edhe në dyqane jashtë Amerikës, si Selfridges në Londër.

Kompania ka sot 2000 punëtorë,96% prej të cilëve janë femra. Edhe pse tani ka mbështetjen e kompanive të tjera investuese, znjsh.Scott mbetet pronarja kryesore.

“Kendra është si njëbrirëshi magjik në industrinë tonë.”, thotë Karen Giberson, presidente e Këshillit të Aksesorëve, një dhomë tregtie që përfaqëson markat e aksesorëve të modës. “Ajo sfidon rrymën e përgjithshme. Kur e sheh, pyet veten se pse kjo markë po zhvillohet, kur të tjerat janë në vështirësi?”

Giberson thotë se arsyeja kryesore për suksesin është që stilistja është vërtet e zonja. Ajo ishte një nënë e re që kishte punuar fort të arrinte aty ku ishte.

“Përveç kësaj, është njeri i mirë dhe e përçon këtë në kompani, duke krijuar një ndjesi komuniteti, gjë që klientët e pëlqejnë”, thotë Giberson. “Ka hijen e drejtueses”.

“Scott ka arritur t’u ofrojë klientëve atë që duan dhe me çmimin e duhur”, thotë Ken Douning, drejtor mode te grupi i dyqaneve “Neiman Marcus”

“Kendra ka arritur të ofrojë stoli me një ndjesi personale, me një pamje të fortë dhe me një çmim që e bën klientin të ndihet mirë”, thotë ai.

Znjsh.Giberson shton se klientët gjithashtu mbeten të kënaqur nga bamirësitë që bën Kendra Scott Design.

Vjet, kompania dhuroi 5 milionë dollarë dhe me mijëra stoli për shumë shoqata bamirësie, kryesisht për gra dhe fëmijë.

Një shembull për bamirësitë është programi Kendra Cares, që lejon pacientët në spitale fëmijësh të bëjnë stoli të Kendra Scott falas, për veten e tyre, për prindër ose për kujdestarë.

Stafi i Kendra Scott ofron 2000 orë punë vullnetare dhe dyqanet e saj nëpër SHBA kanë organizuar rreth 10,000 ceremoni për mbledhje fondesh për bamirësi.

Scott thotë që kompania e saj është e vendosur ta vazhdojë punën e bamirësisë, pasi ajo e nisi biznesin duke u bazuar mbi tre shtylla kryesore: Familja, moda dhe bamirësia, gjëra që vazhdojnë t’i udhëheqin edhe sot.

Për të përmbushur pjesën “familje” të kompanisë, Kendra Scott Design ofron leje lindjeje edhe për punëtorët me kohë të pjesshme, ofron ndihma financiare për birësim dhe për trajtime mjekësore për gratë që nuk lindin fëmijë, si dhe një fond që mbështet familjet në kohë krize. Stafit i lejohet t’i marrin bebet dhe fëmijët në punë, gjithashtu.

“Stolitë dhe moda mund të duken një industri sipërfaqësore. Mua më duket më shumë si një mundësi për të bërë mirë në komunitetet tona”, thotë Kendra Scott, e martuar e me tri fëmijë.

James Jeffrey, CNN

FOTO GALERI
2/35
Teksa rrinte shtrirë në shtëpinë e saj, në Austin, Teksas, duke pritur të afronte dita për lindjen e fëmijës së parë, Kendra nisi të vizatojë modele stolish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA