Kryebashkiaku i Firences: Tirana është një qytet “smart” dhe rinor

11/06/2018 19:05

‘Mobike’ shënoi një tjetër evolucion për kryeqytetin shqiptar dhe prej disa ditësh Tirana është përfshirë nga biçikletat portokalli. Shërbimi i ri i bike sharing tashmë është një realitet për kryeqytetasit, falë marrëveshjes së nënshkruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe drejtori i ‘Mobike’, Massimiliano Rubin.

Idenë për të sjellë shërbimin e ‘Mobike‘ në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e mori gjatë vizitës së tij në qytetin e Firences.

Ishte pikërisht kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Dario Nardella, i cili i shpjegoi dhe i tregoi kreut të Bashkisë së Tiranës se si funksiononte shërbimi i biçikletave portokalli.

Kështu, nga qyteti i Dante-s, ideja e bikesharing ‘fluturoi’ në Tiranë duke e bërë qytetit e parë në Ballkan që ndërmerrte këtë iniciativë të ‘Mobike’.

Gjatë një intervistë të shkurtër për Albanianews.it, kryetari e Bashkisë së Firences, Dario Nardella, shihet qartë entuziazmi dhe pozitiviteti i tij në lidhje me iniciativën më të re që Tirana ka ‘’përqafuar’’ së fundmi.

Qytetari i parë i Firences kujton momentin e bisedës me Erion Veliaj rreth Mobike dhe e cilëson Tiranën si një qytet rinor dhe inteligjent, që do të dijë të mirëpresë në mënyrë të përkryer këtë shërbim.

Duke e parë ‘Mobike’ si një të mirë të përbashkët, Dario Nardella nënvizon edhe disa rregulla që duhen ndjekur, me qëllim që ky shërbim të mund të funksionojë më së miri.

Ja shërbimi i ri për qytetarët e Tiranës, Dario Nardella: Tirana është një qytet ‘smart’ dhe rinor

Pyetje: Tashmë Tirana, ashtu si Firence apo shumë qytete të tjerë nëpër botë, ofron shërbimin e ‘Mobike’. Mund të themi që kjo është edhe merita juaj?

Daria Nardella: (qesh) Kur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj erdhi në Itali unë i tregova si funksiononte ‘Mobike’ në Firenze. Prej atij momenti lindi edhe idea e bashkëpunimit tonë në lidhje me këtë shërbim të bikesharing, për ta sjellë atë edhe në Tiranë.

Pyetje: Pas nënshkrimit të kontratës me ‘Mobike’, Tirana tashmë identifikohet si qyteti i vetëm në Ballkan që ka futur shërbimin e ‘biçikletave pa stacion’, ju si e komentoni këtë fakt?

Nardella: Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që ‘Mobike’ mbërriti edhe në kryeqytetin e Shqipërisë. Jam gjithashtu shumë optimist pasi Tirana është një qytet ‘smart’ dhe një qytet rinor. Për këtë arsye, jam shumë i sigurt që në Tiranë do të përkrahet kjo iniciativë dhe do të kuptohet sa i dobishëm dhe i suksesshëm është shërbimi i ‘Mobike’.

Pyetje: Mendoni se ky shërbim do të funksiojë në Tiranë?

Nardella: Unë mendoj se ‘Mobike’ në Tiranë do të funksionojë shumë mirë, por duhet patjetër që përdoruesit e biçikletave të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë disa rregulla që kërkon ky shërbim, në respekt edhe të këtyre biçikletave.

Pyetje: E thoni këtë duke u nisur edhe nga eksperienca në Firence me ‘Mobike’? Pasi mund të kujtojmë faktin se shpesh herë në qytetin ku ju jeni kryetar bashkie, ka edhe nga ata që nuk i respektojnë siç duhet rregullat e bike sharing. Ju jeni në dijeni që ka pasur raste kur biçikletat janë keqtrajtuar? Gjithashtu, nëpër qytet shohim biçikletat portokalli të parkuara në vende të gabuara, apo të braktisura në mes të trotuareve, apo në mes të rrugës.

Nardella: Pikërisht, për këtë arsye them se duhet treguar shumë kujdes, derisa çdokush të ndihet i përgjegjshëm në përdorimin e këtij shërbimi të ‘Mobike’, pasi kemi të bëjmë me një të mirë të përbashkët.

‘Mobike’ është një firmë kineze në pronësi të Bejing Mobike Technology Co,Ltd e cila ofron shërbimin e bike sharing. E krijuar në vitin 2015-të, ‘Mobike’ ka qendrën në Kinë por ofron shërbimin e saj në të gjithë botën, duke u bërë operatori më i madh në këtë sektor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA