Ministri i Shtetit Pandeli Majko në fjalën e tij në konferencën ku u prezantua raporti “Hartëzimi i popullsisë në rrezik të pashtetësisë në Shqipëri” foli për një mobilizim ndaj rrezikut të pashtetësisë.

“Pashtetësia është një rrezik që kërkon mobilizim ndërinstitucional, bashkëpunim dhe koordinim, jo vetëm mes ministrive e agjencive të ndryshme shtetërore dhe shoqërisë civile, por edhe marrëveshje ndërshtetërore me ato vende ku rasti i shqiptarëve pa shtetësi është më i theksuar. Është përgjegjësi e institucioneve shqiptare të sigurojnë që të gjitha detyrimet ndërkombëtare dhe rajonale në lidhje me të drejtën e shtetësisë, të jenë plotësisht të përfshira në ligjin vendas dhe të zbatohen në praktikë”, tha Majko

Ky raport është rezultat i një iniciative të ndërmarrë nga UNHCR në Shqipëri dhe Shoqata e Ndihmës Ligjore Tiranë (TLAS) TLAS në 2017, për të koordinuar përpjekjet me Qeverinë për të përmirësuar identifikimin dhe regjistrimin e personave në rrezik të pashtetësisë.

Sipas studimit, 1031 persona janë në rrezik të pashtetësisë në Shqipëri, kryesisht për shkak të vështirësive për të konfirmuar shtetësinë e tyre. Numri i përgjithshëm ka të ngjarë të jetë më i lartë, pasi personat në rrezik të pashtetësisë shpesh mbeten të padukshëm dhe janë të vështirë për t’u identifikuar. 97% e atyre që janë identifikuar si të rrezikuar nga pashtetësia në Shqipëri, janë fëmijë.

Shkaqet primare të raportuara janë: lindja jashtë territorit shqiptar, lindja e prindërve që nuk janë të martuar, lindja në shtëpi dhe lindja në spitale ose në njësitë e maternitetit që mbajnë të dhëna të pasakta personale mbi nënën.

Mes të lindurve jashtë territorit shqiptar, shumica e fëmijëve kanë lindur në Greqi. Komunitetet rome dhe egjiptiane janë veçanërisht të prekura nga ky fenomen.

“Aktiviteti i sotëm tregon vullnetin politik për të bërë rregullimet e nevojshme të ligjeve dhe kornizës administrative për të mundësuar regjistrimin e tyre si shtetas shqiptarë”, thotë Pablo Zapata Përfaqësuesi ne Shqipëri i UNHCR.

Rekomandimet nga të dy raportet theksojnë rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërministror dhe ndërkufitar, sigurimin e qasjes në ndihmë juridike falas për ata më të pafavorizuarit, zvogëlimin e pengesave administrative për regjistrimin e lindjeve dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet ndërkombëtare.

Top Channel