NBA, finalja përplas për herë të katërt Golden State-Cleveland

29/05/2018 10:55

Golden State dhe Cleveland do të shkruajnë një tjetër kapitull përsa i përket historisë së finaleve të NBA. për të 4 vit radhazi të dyja këto skuadra do të diskutojnë çështjen e titullit kampion në ligën më spektakolare të basketbollit në botë.

Nëse në Lindje Cleveland konfirmoi dominimin e tij, në Konferencën e Perëndimit ishte Golden State që e bëri këtë duke fituar edhe ndeshjen e 7 atë më vendimtare të përballjeve me Houston Rockets. Në Toyota Center skuadra kaliforniane fitoi ndaj asaj teksane me rezultatin 101-92.

Houstoni e mbylli periodën e parë me avantazhin e 5 pikëve 24-19, ndërsa në pushimin e ndeshjes arriti me avantazhin 54-43. Kjo nuk mjaftoi sepse me rikthimin në parket për 2 periodat e tjera, Golden State shpërtheu duke e mbyllur 12 minutëshin e tretë me rezultatin e frikshëm 33-15 për ta kthyer përfundimisht situatën në favor duke u shpallur kampion i Konferencës së Perëndimit që i dha edhe biletën e finales së madhe ku Warriors do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar.

Për Golden state protagonistë u bënë 4 lojtarë, Durant me 34 pikë, Curry me 27 pikë e 10 assist, Klay Thompson me 19 pikë e Green me 10 pikë e 13 topa në tabelë. Për Rockets, nuk mjaftuan 32 pikët e James Harden, 23 të Eric Gordon e 20 pikët e Clint Capelës për të mposhtur Golden State.

Ndeshja e parë e finales së Madhe të NBA mes Cleveland e Golden State do te luhet në mbrëmjen e së enjtes në Oracle Arena në Oakland të Kalifornisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA