Tirana dhe Venecia ndoshta asnjëherë nuk kanë qenë më pranë njëra-tjetrës. Në qytetin e mrekullueshëm, ku më shumë se në çdo vend tjetër mund të flasësh për mjeshtërinë e ndërtimit, për artin dhe dëshirën për arkitekturën, Tirana ka sjellë një copëz të historisë së saj.
Është “Hapësira 0” pavioni shqiptar në edicionin e 16 të Bienales së Arkitekturës në Venecia, i cili u inaugurua në praninë e miqve të Shqipërisë dhe vizitorëve të pranishëm.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, u shpreh: “Merita është e arkitektëve. Është një ekip djemsh dhe vajzash të talentuar, të cilët zgjodhën qytetin ose ndoshta qyteti i zgjodhi ata për të sjellë zërin e Shqipërisë në ngjarjen më të madhe botërore të arkitekturës”.
“Hapësira 0” është një instalacion shumëdisiplinësh që përmes dyerve të vjetra të shtëpive tiranase, fotove të katit përdhes në lagjet e qytetit, tingujve dhe zhurmave të tij, i fton vizitorët në një kontakt të drejtpërdrejtë me qytetin për të treguar ndryshimin që vetë qytetarët i kanë bërë katit përdhes të Tiranës.
Arkitekti Florian Pollo thotë: “Zhvillimi që ka pësuar Tirana, metamorfoza që ka pësuar specifikisht kati përdhes i qytetit, është shumë e veçantë për Tiranën”.
“Hapësira 0” vjen si një dëshirë për t’i treguar publikut të Venecias një model të jetesës dhe arkitekturës në qytet, i cili ka në qendër njeriun dhe qytetarin. Por, nga ana tjetër ajo synon edhe hapjen e një dialogu me vetë qytetarët e Tiranës.
Kuratori Elton Koritari sqaron: “Ne duam që qytetarët e Tiranës të shohin që arkitektura është pjesë përbërëse e së tashmes dhe të ardhmes”.
Për të njohur të ardhmen e arkitekturës, të ardhmen e qyteteve tona, nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i drejtohemi urtësisë që vjen nga tradita dhe largpamësisë si shprehje e vizionit për të ardhmen.
Bienalja e Venecias duket se është e gatshme për ta rrokur këtë sfidë.
Top Channel