Partia Demokratike ka publikuar dokumentet e ardhura nga Italia , ku rezulton se vëllai i ministrit të Brendshëm,Fatmir Xhafaj është i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg në shtetin fqinj.

Por i pyetur se ku ka qenë vëllai i Xhafajt para 2013-tës, Enkelejd Alibeaj tha se vendimi i formës së prerë është marrë në shtator 2012.

“Xhafaj gënjen dhe është plotësisht në dijeni se vëllai i tij Agron Xhafaj, alias Goni është dënuar me vendim gjyqësor në Itali dhe se nuk ka vuajtur asnjë ditë nga dënimi i dhënë, duke jetuar nga 2013 e këtej në Shqipëri. Xhafaj ka jo vetëm përgjegjësi politike e morale, por dhe ligjore. Sipas legjislacionit në fuqi një nga detyrat kryesore të policisë së Shtetit është identifikimi i personave të dënuar me vendim gjyqësor në mungesë. Është detyrë e ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në policinë e Shtetit të identifikonin Agron Xhafaj dhe të arrestohej për të vuajtur dënimin. Opozita ia ka bërë me dije ministrit të Brendshëm që vëllai i tij është i dënuar po ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim”, tha deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.

Pyetjet e PD për ministrin Xhafaj:

1) A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale?

2. Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar, ndërkohë që rezulton i dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë të dënimit të tij?

3. A është ai person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm në trafikun e drogës?

4. A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?

5. A ka operacioni “Forca e Ligjit” ka efekt mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?

6. Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e këtij shtetasi dhe për të verifikuar nëse është apo jo i dënuar?
7. Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?

Sipas këtyre dokumenteve, që disponon PD-ja, Agron Xhafaj është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal që kishte për synim trafikun ndërkombëtar mes Europës dhe SHBA të lëndëve narkotike, marrëveshja mes grupeve kriminale në njërën prej të cilëve bënte pjesë dhe Agron Xhafaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA