Sindrit Guri vijon të shkëlqejë, teksa të shtunën ndaj Lushnjës ka dhuruar golin e radhës për Kukësin, duke mbajtur me meritë kryesimin e listës së golshënuesve.

Sulmuesi shkodran ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport, ku foli jo vetëm për momentin e mirë që po kalon, por edhe për planifikimin e të ardhmes, pasi jemi shumë pranë fundit të sezonit dhe ofertat ndaj Gurit janë të shumta.

‘Zona Gol’: Urime për golin, ndonëse ishte një ndeshje që rezultoi e vështirë ndaj Lushnjës…
Guri: Faleminderit. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi Lushnja e ka njohur fatin e saj tashmë dhe nuk ka presion kur zbret në fushë. Ata kërkojnë vetëm të argëtohen dhe të marrim më të mirën, por për fat ia dolëm të shënojmë dhe të fitojmë ndeshjen.

‘Zona Gol’: E ndjeni nevojën e VAR-it në Superiore?
Guri: Për mendimin tim arbitrat janë njerëz dhe gabojnë, gjëra që i kemi parë edhe në kompeticione shumë më të rëndësishme, si në Champions apo Europa League, jo vetëm në Superiore. Gjithsesi teknologjia do t’u vinte në ndihmë, për të shmangur gabimet, kur janë njerëzore.

‘Zona Gol’: Si e shikoni garën për mbijetesë?
Guri: Në fakt më surprizoi fitorja e Teutës, pasi u bë edhe më interesante lufta për mbijetesë. Do të doja që edhe Vllaznia të kishte fituar, pasi jam shkodran, por për fat të keq u ndëshkuan në minutat e fundit.

‘Zona Gol’: Luajtët dy javë më parë ndaj Skënderbeut. Vutë re ndonjë prishje të atmosferës brenda grupit?
Guri: Skënderbeu në fakt ka ekipin më të mirë në Shqipëri dhe nëse japin maksimumin, mund të mposhtin këdo në kampionat. Nëse kanë probleme brenda grupit, këtë unë nuk di ta them, pasi janë gjëra që unë nuk i kam vënë re në javë ne kaluar.

‘Zona Gol’: Ali Sowe realizoi dy herë sot. Si e shikoni garën për Këpucën e Artë?
Guri: E bukura e kësaj gare është që po zhvillohet mes dy sulmuesve të rinj në moshë, por edhe në Kategorinë Superiore. Unë do të bëj më të mirën për ekipin, por edhe nëse Këpucën e fiton Sowe, do ta meritonte plotësisht padyshim.

‘Zona Gol’: Sa pretendon Kukësi të fitojë nga shitja juaj në verë?
Guri: Unë nuk merrem me pjesën e çmimit me thënë të drejtën. Unë jam përqendruar te fusha e lojës, ndërsa pjesa e çmimeve dhe negociatave, i përkasin menaxherit tim dhe klubit të Kukësit.

‘Zona Gol’: Është thënë se një klub belg ka ofruar 500 mijë euro për kartonin tuaj dhe një milionë euro pagë për 3 vite kontratë. Sa e vërtetë është kjo?
Guri: Është e vërtetë në fakt. Kam pasur disa oferta dhe besoj se kemi gjetur klubin ku do të luaj në të ardhmen. Skuadra që ka bërë ofertën më të mirë për mua, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë sportiv, do të jetë ekipi im i ardhshëm. Unë them se e kam bërë zgjidhjen time, por do të flas vetëm pasi të përfundojë gjithçka, pasi tani menaxheri im dhe skuadra që ka bërë ofertën, po negociojnë me klubin e Kukësit.

‘Zona Gol’: Në vitet paraardhëse nuk keni qenë kaq mirë në shifra, sa këtë sezon…
Guri: Kam qenë shumë i ri kur isha te Vllaznia, ku shënova vetëm një gol. Atëherë luaja shumë pak dhe gjithmonë si zëvendësues. Në Kategorinë e Parë te Korabi shënova shumë gola, ndërsa kur erdha te Kukësi, fillimisht luaja si sulmues i djathtë dhe isha shumë larg portës. Tani që jam në qendër të sulmit, kam qenë më pranë portës dhe jam shërbyer më shumë, ndaj edhe kam shënuar.

‘Zona Gol’: Ardhja e Pacult, apo largimi i Bakajt, ndikuan në shpërthimin tuaj?
Guri: Kanë qenë shumë faktorë në fakt, por më kryesori ishte ai i ardhjes së trajnerit Pacult dhe drejtorit sportiv Nexhipi, që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë këshilluar shumë për mënyrën se si duhet të sillem në fushë dhe jo vetëm. Për fat të mirë, falë ndihmës së tyre, por edhe punës time, kam arritur të shënoj shumë dhe të ndihmoj skuadrën.

‘Zona Gol’: Ka pasur një debat në distancë mes Gjicit dhe Gjokës, në lidhje me ju. Po juve vetë ku jeni në këtë situatë?
Guri: Unë jam tërësisht jashtë kësaj situate, pasi ajo është diçka mes presidentit dhe trajnerit Gjoka. Unë jam ndjerë mjaft mirë me profesor Nestin, që më ka ndihmuar shumë dhe më ka trajtuar njësoj si të isha titullar. Me të në krye bëmë një sezon të mirë dhe fituam edhe titullin, ndërsa edhe në aspektin personal, unë jam shumë i kënaqur për marrëdhënien me të.

‘Zona Gol’: E keni menduar ndonjëherë se do të arrinit në këto nivele, ku të kushtonit kaq shumë?
Guri: Të them të drejtën kam pasur gjithmonë te aftësitë e mia dhe kam punuar shumë për të arritur këtu. Te Vllaznia nuk i kisha minutat dhe zgjodha të shkoja në Kategorinë e Parë, për të luajtur rregullisht. Ashtu si unë, edhe Bregu e ka nisur nga Kategoria e Parë dhe kemi treguar veten në Superiore. Pra jam i mendimit që çdo lojtar i ri nuk duhet të rrijë e të ngrohë stolin e skuadrave të Superiores, por të kërkojë hapësira kudo, pasi ka nevojë për të luajtur.

‘Zona Gol’: Të ka sugjeruar Pacult kampionatin austriak?
Guri: Kam folur dhe flas shpesh me profesorin dhe më ka sugjeruar të vijoj në kampionatin austriak, por të them të drejtën e kam ndarë mendjen bashkë me familjen dhe kam zgjedhur Belgjikën. E para pasi oferta ka ardhur konkrete dhe më pas më janë ofruar disa garanci edhe në lidhje me minutazhin që do më vihet në dispozicion, pasi është shumë e rëndësishme për të luajtur.

‘Zona Gol’: Kur mund ta dimë emrin e klubit tuaj të ri?
Guri: Është diçka që nuk varet nga unë, por nga ecuria e negociatave. Sa më shpejt që të kemi diçka zyrtare, do të njiheni edhe me emrin e skuadrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA