Bindja e Macronit: Trump do ta rrëzojë paktin me Iranin

26/04/2018 11:55

Donald Trump ka shumë mundësi ta rrëzojë marrëveshjen me Iranin. Presidenti francez, Emmanuel Macron e pranoi se mund të ketë dështuar në përpjekjet e tij për ta bindur shefin e Shtëpisë së Bardhë të mos e hedhë në erë paktin e arritur me aq mundim.

“Bindja ime është se, ai ka për t’u tërhequr nga marrëveshja për arsye të brendshme”, tha Macron për mediet amerikane, duke shtuar se kjo është ndjesia që ka krijuar personalisht gjatë vizitës në SHBA, e se nuk ka ndonjë informacion konkret.

Trump ka kohë deri më 12 maj për të dalë me një vendim mbi ujdinë që synon t’i parandalojë Iranit prodhimin e armëve atomike. Presidenti republikan ka kërcënuar vazhdimisht se do ta hedhë poshtë marrëveshjen historike, e cila e detyron regjimin e ajatollahëve të kufizojë programin e tij bërthamor, në shkëmbim të pezullimit të sanksioneve ekonomike.

Për Trumpin, pakti i arritur në kohën e paraardhësit të tij, Barack Obama, është tepër i butë. Ai e ka përmendur vazhdimisht mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje më të madhe e me kushte më të ashpra.

Pas puthjeve e përqafimeve, Macron i dha Trumpit një dackë (shuplakë) – thotë shtypi vendas, – duke cituar komentet e udhëheqësit francez që u shpreh në Uashington se, ndryshimi i qëndrimit të Shteteve të Bashkuara lidhur me disa çështje të rëndësishme globale mund të funksionojë në periudhën afatshkurtër, por këto janë ide shumë të çmendura kur vjen fjala te periudha afatmesme dhe ajo afatgjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA