Ai ka krijuar një marrëdhënie solide me presidentin Donald Trump dhe është lideri i parë i huaj në një vizitë shtetërore në SHBA. E pas nderimeve në Shtëpinë e Bardhë, Emmanuel Macron u prit me ovacione e duartrokitje që zgjatën për jo më pak se tre minuta ndërsa zuri vend në podiumin nga ku iu drejtua Kongresit Amerikan.
Në fjalimin e tij para Kongresit, sidoqoftë, Macron deshi edhe të tregonte se pavarësisht lidhjeve të ngushta me presidentin Trump, të dy ata nuk janë në një mendje në të gjitha temat.
Macron këmbënguli se SHBA duhet të angazhohet më shumë në çështjet globale, në kontrast me hapat e ndërmarrë nga Trump drejt izolimit.
“Shekulli i 21 ka sjellë një seri kërcënimesh dhe sfidash të reja që paraardhësit tanë as nuk mund ti kenë imagjinuar. Por, ne mund të ndërtojmë një rend të ri botëror të shekullit të 21, bazuar në multilateralizmin, E kjo kërkon më shumë se kurrë përfshirjen e shteteve të bashkuara, pasi roli juaj ishte vendimtar për krijimin dhe mbrojtjen e botës së lirë. SHBA është ajo që shpiku multilateralizmin. Ju jeni ata që duhet ta rishpikni sot atë”, tha Macron.
Macron u ndal edhe tek kujdesi për ambjentin duke vënë theksin tek një tranzicion i butë drejt një ekonomie pa karbon.
“Nëse punojmë dhe jetojmë duke shkatërruar planetin, ne sakrifikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Duhet të bëjmë dicka. Nuk ka asnjë planet B”, tha presidenti francez.
Fjalimi i Macron para Kongresit Amerikan koinçidon me 58 vjetorin e fjalimit të presidentit të atëhershëm francez, Charles se Gaulle, para sesionit të përbashkët të kongresit. Macron, që është quajtur nga disa analistë ‘ai që i flet në vesh Trump’ ka mundur të ndërtojë lidhjen më të ngushtë që Trump ka me një lider botëror.
Top Channel