Presidenti Ilir Meta është zyrtari i parë shqiptar që është takuar me përfaqësuesen e lartë Federica Mogherini.
Ai mirëpriti rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në vlerësim të përpjekjeve të mëdha e ndër vite të Shqipërisë në procesin e saj të pakthyeshëm të integrimit evropian.
Duke njohur kontributet e të gjithë aktorëve vendas që me vendosmëri ndërtuan deri tani trajektoren evropiane të Shqipërisë, Presidenti Meta përcolli gjithashtu mirënjohjen për Përfaqësuesen e Lartë Mogherini dhe Komisionin Evropian për mbështetjen dhe ndihmën e palodhur që u kanë ofruar shqiptarëve.
Kreu i Shtetit theksoi se ky rekomandim me rëndësi strategjike për vendin dhe rajonin, duhet të shërbejë si katalizator i një uniteti më të konsoliduar dhe i përqëndrimit të punës në thellimin e reformave kyçe për vendin. Presidenti vuri në dukje se të gjithë ata që ndjehen pjesë e këtij suksesi të përbashkët duhet gjithashtu të mbartin pjesën e tyre të përgjegjësisë për më shumë punë në të ardhmen, duke ruajtur fokusin për një vendim pozitiv gjatë mbledhjes së Këshillit në qershor.
Top Channel