“Policë vrasës”, me këtë togfjalësh e nis konstatimin e saj “The Economist”, të publikuar në rrjetet sociale përmes pamjeve video.
Kujdes, videoja përmban skena të dhunshme!
Policia amerikane vret rreth 1.000 persona çdo vit. Banorët e zonave më të varfra janë edhe më të ekspozuar ndaj kësaj lloj vdekshmërie. Sipas studimit, asnjë vend tjetër i zhvilluar nuk i përafrohet statistikave të policisë amerikane.
Policia në Finlandë, për shembull, ka shtënë vetëm 6 herë në vitin 2013.
Arsyeja përse policët amerikanë vrasin më shpesh thuhet të jetë fakti se ata kërcënohen gjithashtu më shpesh. Ata janë 35 herë më shumë të ekspozuar ndaj vrasjeve në krye të detyrës, krahasuar me homologët e tyre gjermanë.
Ndërkohë, policët në vendet e varfra janë shumë herë më vdekjeprurës. Kjo, sepse ata përballen me rreziqe edhe më të mëdha, e sigurisht janë edhe më të papërgjegjshëm!
Filipinet, për shembull, kanë përjetuar së fundi kulmin më të lartë të vrasjeve nga dora e një polici, që kur presidenti Rodrigo Duterte urdhëroi policinë që të qëllonte për vdekje e pa dallim, të dyshuarit si trafikantë apo përdorues droge. Mijëra persona janë qëlluar në gjakftohtësi të plotë. Qeveria thotë se numri i viktimave është mbi 6.000, por grupet e të drejtave të njeriut e dyfishojnë këtë shifër.
Në El Salvadorin e vitit 2015, zëvendëspresidenti u tha policëve se mund t’i qëllonin pjesëtarët e bandave “pa pasur frikë se do të vuajnë nga pasoja”. Numri i gangsterëve të pretenduar, të qëlluar nga policia është rritur nga 39 në vitin 2013, në 603 në vitin 2016.
Në Pakistan dhe Indi, “përballjet vrastare” janë të zakonshme. Togfjalëshi është enkas i tillë, e nënkupton se të dyshuarit vriten në beteja të vendosura të shtënash. Megjithatë, policët rrallë lëndohen në të tilla “përballje”.
Në Pakistan, 8.800 raste janë regjistruar mes viteve 1997 dhe 2016, shumica e të cilave në fakt kanë qenë ekzekutime pa gjyq.
Por, përse vrasin policët dhe çfarë mund të bëhet për të kufizuar këtë trend? Një zgjidhje është ajo që policët të vendosin kamera në trup për të regjistruar ndërveprimet me publikun. Por kjo do të funksiononte vetëm nëse qeveritë do të donin që policët e vendeve të tyre të jenë të përgjegjshëm e llogaridhënës për çdo rast.
Në fillimvitet 2000, Kolumbia bastisi e dëboi 12 mijë oficerë të korruptuar policie, e u mësoi të rinjve sesi të bëheshin detektivë më të zotë.
Në këtë aspekt mund të ndihmojë shumë edhe zgjidhja e opsioneve jovdekjeprurëse, siç do të ishte pistoleta elektrike që bën të mundur paralizimin e përkohshëm të të dyshuarit.
Gjithsesi këto janë zgjidhje afatshkurtra, pasi në një periudhë afatgjate, policët në vendet e varfra kanë nevojë urgjente të paguhen më mirë, e sigurisht edhe të përballen me pasoja më të ashpra, në rast të abuzimit me detyrën e tyre.
Mbi të gjitha, vendet duhet të kenë në krye udhëheqës që të mendojnë se jetët e civilëve vlejnë! Ndëshkimi i fajtorëve duhet të jepet nga gjykatat, e jo nga policët.
Top Channel