Lëvizja ‘5 yjet’ dhe të djathtët në Itali, arritën marrëveshjen për zgjedhjen e kryetarëve të të dy dhomave të parlamentit, çka i hap rrugën edhe bisedimeve zyrtare mbi krijimin e qeverisë, të drejtuara nga presidenti Sergio Mattarella, por ngritja e ekzekutivit të ri nuk ka për të qenë e thjeshtë.
Në zgjedhjet e 4 marsit, të cilat nuk prodhuan një fitues të qartë, ‘5 yjet’ dolën forca më e madhe e vetme në vend, ndërsa blloku që siguroi më shumë vota, ishte aleanca e djathtë e Forza Italias, e Silvio Berluskonit, me Lega Nord-in anti-emigrantëve.
Pas ditësh të tëra diskutimesh në prapaskenë, dy fraksionet arritën të zgjedhin Roberto Fico-n e ‘5 yje-ve’ si kryetar t’ Dhomës së Ulët dhe veteranen e Forza Italia-s, Elisabetta Casellati në krye të Senatit. Aleanca konservatore iu afrua kolapsit të premten, kur Lega u rreshtua me lëvizjen anti-establishment, për të refuzuar zgjedhjen e parë të Forza Italia-s, lidhur me pozicionin e senatit.
Megjithatë, negociatat e ethshme arritën t’i sheshonin mosmarrëveshjet, të paktën për periudhën afat-shkurtër. Jam i kënaqur, i prekur dhe krenar që parlamenti nisi punën dhe qendra e djathtë mbeti e bashkuar, deklaroi drejtuesi i Lega Nord, Matteo Salvini, pas votimeve të mbajtura të shtunën.
Më vonë, gjatë ditës, kryeministri në largim, Paolo Gentiloni i paraqiti kreut të shtetit dorëheqjen, ashtu siç veprohet normalisht në Itali, kur parlamenti i ri cakton udhëheqësit e dy dhomave të tij. Gentiloni, do të qëndrojë megjithatë në detyrë, deri sa të krijohet qeveria e re, konsultimet e të cilës pritet të nisin në fillim të muajit të ardhshëm.
Top Channel