Toronto Raptors dhe Cleveland Cavaliers, dy prej skuadrave më të mira të këtij sezoni në NBA, u bënë protagoniste të një sfide spektakolare mes tyre.
Në “Quicken Loans Arena”, skuadra nga Ohio arriti të fitojë me rezultatin 132-129, në një ndeshje ku James ishte i papërmbajtshëm, duke e mbyllur sfidën me 35 pikë, 17 asiste dhe asnjë sulm të humbur.
Clevelandi e nisi më mirë përballjen, teksa e mbylli periodën e parë me avantazhin 42-38. Toronto u kundërpërgjigj në fraksionin e dytë, kur ktheu situatën në favorin e saj. Pas pushimit të sfidës, Clevelandi u rikthye te loja e mirë, por fatin e ndeshjes e vulosi vetëm në 12-minutëshin e fundit.
Përvec James, për “Cavaliers”-at në këtë duel u dalluan edhe Kevin Love, me 23 pikë e 12 topa në tabelë, dhe Hill, me 22 pikë. Për Toronton spikatën DeRozan me 21 pikë, Lowry me 24 pikë dhe Valanciunas me 15 pikë.
Toronto, edhe pas kësaj humbjeje vazhdon të jetë në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes, ndërsa Clevelandi është në vendin e tretë.
San Antonio duket se ka rigjetur shkëlqimin e humbur. Skuadra teksane kaloi Uashingtonin, të cilin e mundi me rezultatin 98-90, në një përballje shumë të rivalizuar.
Për San Antonion, LaMarcus Aldridge me 27 pikë dhe Anderson me 16 pikë ishin ata që udhëhoqën “Spurs-at drejt kësaj fitoreje.
Te Uashingtoni, Oubre Jr. dhe Bradley Beal u përpoqën që t’i kundërpërgjigjeshin lojës së kundërshtarëve të tyre, por e patën të pamundur. Me fitoret e fundit, San Antonio ka fituar pozicione në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit dhe tani ngjitet në vendin e 6, pas Indiana Pacers.
Top Channel