Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias është bërë përsëri “objektiv” i një kërcënimi të ri të personave të panjohur.
Sipas informacioneve që publikon e përditshmja “Ta Nea”, atij i është dërguar më poste një plumb i mbështjellë me një letër kërcënuese, e cila ju referohet negociatave për emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
“Sidomos për ata që vënë nënshkrimin e tyre në shitjen e Maqedonisë sonë, ka vetëm një rrugë: do të zhdukim familjet e tyre, nga më i vogli tek më i madhi”, thuhet ndër të tjera në letrën kërcënuese, e cila përfundon me thirrjen që u bëhet forcave të Sigurisë dhe Ushtrisë që të mos u bindën urdhrave, por të shkojnë në Parlament dhe t’i fshijnë të gjithë, duke ndaluar shitjen e vendin tek NATO dhe BE.
Ngjarja është mbajtur e fshehtë për gati pesë ditë pasi organet greke të rendit kanë kryer analizat laboratorike për plumbin në fjalë.
Sipas tyre, bëhet fjalë për një plumb të armëve kundërajrore. Është hera e dytë prej shkurtit të kaluar që ndaj ministrit të Jashtëm grek janë dërguar letra me plumba e kërcënime.
Ngjarja ndodh vetëm disa ditë para vizitës së Nikos Kotzias në Shkup për vazhdimin e negociatave për çështjen e emrit të fqinjit verior të Greqisë.
Ndërkohë nga burimet pranë Ministrisë së Jashtme thuhet se Kotzias ka deklaruar që këto kërcënime nuk do të ndërpresin përpjekjen e tij në zgjidhjen e këtij problemi që mban të ndërvarura marrëdhëniet midis dy vendeve për më shume se 27 vjet.
Top Channel