Britani, Johnson akuzon drejtpërdrejt Putinin. NATO: Veprimet ruse kanë një kosto

16/03/2018 14:22

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson deklaroi se, me shumë gjasë urdhrin e helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia Skripal, me agjentin nervor “Novichok” e ka dhënë vet Vladimir Putini.

Kjo është akuza më e drejtpërdrejtë që i lëshohet deri më tani shefit të Kremlinit, ndaj të cilit edhe vet Theresa May, e cila njoftoi këtë javë dëbimin e 23 diplomatëve rusë, nuk e drejtoi hapur gishtin e fajit.

Skripal dhe e bija vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike për jetën, pas sulmit të ndodhur në një park të Salisburyt.

“Shqetësimin ne e kemi me Kremlinin e Putinit dhe me vendimin e tij, – tha Johnson. – Mendojmë se ka shumë mundësi që ta ketë dhënë vet ai urdhrin e përdorimit të një agjenti nervor në rrugët e Britanisë, në rrugët e Europës, e kjo ndodh për të parën herë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ne e dënojmë këtë sulm të paprecedentë të Rusisë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar”.

“Ky përdorim armësh kimike është një shkelje e ligjit ndërkombëtar”, shtoi kryediplomati britanik.

Pak përpara tij, në sherrin e Londrës me Moskën ndërhyri edhe NATO, e cila i kujtoi Rusisë unitetin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Rusët e kanë nënvlerësuar vendosmërinë dhe lidhjen e fortë të aleatëve të Britanisë së Madhe”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. “NATO, – u shpreh ai, – po i nënshtrohet përforcimit më të madh të mbrojtjes së saj, që prej fundit të Luftës së Ftohtë”.

“NATO nuk ka arsye t’i vërë në pikëpyetje gjetjet dhe përfundimet e qeverisë britanike. Mbretëria e Bashkuar nuk është e vetme. Është e rëndësishme që Rusia të marrë një sinjal të qartë se, sjellje si këto të sajat e kanë një kosto”, tha Stoltenberg.

Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë kanë qenë të paqëndrueshme që prej vrasjes së një tjetër spiuni rus në Londër, Aleksandër Litvinenko, në vitin 2006.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA