Qendra Shëndetësore në Cërrik, e cila mbulon me shërbimin e urgjencës plot 60 mijë banorë, ka në dispozicion vetëm 3 serume për 24 orë. Pra, vetëm tre pacientët e parë kanë “fatin” të bëjnë serum, ndërsa i katërti, e kështu me radhë, duhet ta sigurojë privatisht.
Në redaksinë e Fiks Fare mbërritën disa informacione për mungesën e shërbimit shëndetësor në Cërrik. Gazetarët shkuan në këtë qendër, ku fillimisht u ndeshën me rrugën e keqe që të çon në këtë Qendër Shëndetësore. Rruga ishte me gropa të mëdha, të mbushura me ujë, ndërsa godina nuk ishte e rrethuar. “Pacientët” e parë ishin disa dele që kullosnin në territorin e spitalit, ndërsa situate ishte problematike edhe brenda kësaj qendre.
Fiks Fare intervistoi drejtorin e Qendrës Shëndetësore në Cërrik, Aurel Musta, i cili tha se ka bërë disa kërkesa për rrethimin e godinës, për shtrimin e rrugës, por deri më tani, kanë shkuar në vesh të shurdhër. Doktori thotë se Qendra Shëndetësore e ka të pamundur që të kryejë shërbimin e urgjencës 24 orë, pasi nuk ka medikamente dhe kushte për pacientët. “Kemi vetëm tre serume, i katërti duhet ta sigurojë privatisht. Kaq fond kemi” thotë Musta, ndërsa tregon edhe ambientet e urgjencës. Sipas tij, janë tre krevatë, të modifikuar, ndërsa dikur në këtë godinë, ka qenë edhe Materniteti. “Tashmë nuk i sigurojmë dot shërbim grave shtatzëna, jo më të ketë lindje” thotë Musta. Më pas, tregon edhe një çudi, me bombulën e oksigjenit.
“Bombulën e kemi trashëguar. Është një bombul pa aparatin rregullator. Nuk llogarisim dot sa oksigjen merr pacienti. Më ka ndodhur që kanë ardhur disa pacientë azmatikë dhe e kam pasur të pamundur t’i shërbejë” thotë drejtori, ndërsa shton se, edhe nëse vijnë njerëzit e tij, nuk mund t’u shërbejë me këtë gjendje.
Top Channel