Me mungesa me peshë, si Neuer, Ribery, Rodriguez apo Coman, e duke lënë në stolin e rezervave edhe lojtarë si Lewandowski, Robben e Javi Martinez. Për Bayern Munchen ishte thjesht një “shëtitje” transferta e kësaj të diele ndaj Freiburgut.
E si për të nënvizuar mosimpenjimin maksimal për këtë duel, jo për shkak neglizhence, por sepse ia lejon luksi i jashtëzakonshëm falë pozicionit të renditjes në Bundesligë, mendoi pikërisht Schwolow, i cili e çoi vet në rrjetën e tij topin për t’i dhënë avantazhin bavarezëve në minutën e 25-të, pas këmbënguljes së dyfishtë të Thomas Muller nga e djathta.
Gjigantët e Mynihut do të dyfishonin rezultatin në pjesën e parë me anë të Tolisso, ndërsa në 45-minutëshin e dytë do të shënonin edhe dy herë të tjera, fillimisht me Wagner e më pas me Muller, për të mbyllur llogaritë ndaj ekipit të Abrashit, që mbetet ende në ujëra të turbullta dhe në vallen e mbijetesës, pavarësisht se ka 4 pikë më shumë nga Mainzi.
Për të besuarit e Jupp Heynckes, të flasësh për renditjen është diçka thjesht për statistikë, pasi vijon ende distanca prej 20 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt të Schalke 04, apo 21 më shumë sesa Dortmundi e Frankfurti, që renditen në zonën e Championsit, kur duhen edhe 9 javë nga fundi i kampionatit, që do të thotë edhe 27 pikë në lojë.
Top Channel