Brazili rikthehet te fitorja, Cunha dhe Vinicius mposhtin Haitin dhe afrojnë “Seleçaon” me fazën me eliminim direkt

20/06/2026 07:40

Brazili mori fitoren e parë në Botërorin 2026, duke mposhtur Haitin me rezultatin 3-0 në Philadelphia dhe duke u ngjitur në krye të Grupit C.

Skuadra e Carlo Ancelottit reagoi pas barazimit zhgënjyes ndaj Marokut në ndeshjen hapëse, ndërsa Haiti u eliminua matematikisht nga turneu.

Brazilianët e nisën sfidën në sulm dhe menduan se kishin kaluar në avantazh me Raphinhan, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, presioni i vazhdueshëm dha rezultat në mesin e pjesës së parë, kur Matheus Cunha shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri Johny Placide pas goditjes së Vinicius Junior dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Sulmuesi i Brazilit realizoi sërish pak minuta më vonë. Pas një pasimi të shkëlqyer nga Vinicius, Cunha shpërtheu në zonë dhe goditi fuqishëm në shtyllën e parë për të dyfishuar avantazhin.

Para pushimit, në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Vinicius Junior, i cili përfitoi nga hapësirat e mëdha në mbrojtjen e Haitit dhe mposhti me qetësi Placide për rezultatin 3-0. Një lajm jo i mirë për Brazilin ishte dëmtimi i Raphinhas, i cili u detyrua të largohej nga fusha gjatë pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, Haiti provoi të reagonte dhe iu afrua golit me Ricardo Adé, por Alisson Becker bëri një pritje vendimtare. Nga ana tjetër, Endrick e pa festën e tij të golit të ndërpritej nga flamuri i anësorit për pozicion jashtë loje.

Me këtë sukses, Brazili shkon në kuotën e katër pikëve, po aq sa Maroku, dhe do të kërkojë kualifikimin në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Skocisë. Ndërkohë, Haiti mbetet pa pikë dhe jashtë garës për një vend në fazën tjetër.
Rezultati: Brazili 3-0 Haiti
Cunha 23’, 36’, Vinicius 45+3’

Top Channel