Plot 25 të arrestuar në mbarë Italinë, e 46 persona nën hetim. Forcat italiane të “Guardia di Finanza”-s i dhanë një goditje të fortë një rrjeti që trafikonte drogë nga Shqipëria, duke dërguar përgjatë 3 muajve në vendin fqinj, plot 5 tonë hashash.
Nga orët e para të ditës, në një pjesë të mirë të territorit italian, forcat policore kanë nisur zbatimin e dhjetëra urdhërndalimeve të lëshuara nga Gjykata e Catanzaros, me qëllim neutralizimin e një organizate kriminale shumëdegëshe, me tipare mafioze.
Operacioni i koduar “Stammer 2 – Melina” përfaqëson, sipas medieve vendase, epilogun e një aktiviteti hetimor kompleks të “Guardia di Finanza”-s së Catanzaros, me mbështetjen e shërbimit qendror për hetimin e krimit të organizuar, me seli në Romë, e të koordinuar nga Prokurori i Përgjithshëm.
Ky është një vazhdim i operacionit “Stammer”, të nisur janarin e vitit të kaluar. Anëtarë vibonezë (nga Vibo Valentia) të Ndranghetës kishin krijuar lidhje me narkotrafikantët shqiptarë, të cilët e kanë dëshmuar veten si partnerë efiçentë, e që sot mund të konsiderohen si prodhuesit më të rëndësishëm të marijuanës në kontinent, me baza logjistike të shpërndara praktikisht në të gjithë Europën, thotë shtypi italian.
I gjithë operacioni ka bërë që organizata të pësojë humbje të ndjeshme ekonomike, sepse droga e sekuestruar, kur të përpunohej e të hidhej në treg, llogaritej t’u sillte trafikantëve fitime prej 10 milionë eurosh.
Top Channel