Një mijë pemët e djegura nga zjarret që ranë verën e kaluar në zonën e Hekalit, në Njësinë Administrative të Petrelës, u zëvendësuan me 2 mijë fidanë të rinj, duke rigjeneruar bimësinë e zonës përreth.
Në 95-vjetorin e Shërbimit Pyjor Shqiptar, Bashkia e Tiranës organizoi aksionin për mbjelljen e fidanëve të rinj.
“Më vjen mirë që po rikuperojmë gjithçka që u dogj verën e kaluar nga i nxehti i jashtëzakonshëm që patëm. U dogjën 1 mijë pemë, mbjellim 2 mijë fidanë. Sot shkojmë në mbi 85 mijë pemë për të kapur rekordin tonë të 100 mijë pemë deri në datën 21 mars”, tha Veliaj.
Aksionit iu bashkua, violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Çezari.
“Një artist i mirë është edhe një qytetar i mirë dhe nuk mund të jesh artist i mirë nëse nuk je qytetar i mirë”, u shpreh ai.
“Jam i lumtur që jam pjesë e këtij aksioni me lopatë në dorë. Vjen në Tiranë dhe shikon se ajo po ndryshon ditë për ditë. Ndaj, kur dëgjon se ka nisma të tilla, thua hajde ta bëjmë, ta mbarojmë. Kështu që, bravo”, tha Olen Çezari.
Ndërkohë Kreu i Bashkisë së Tiranës ftoi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm për ruajtjen e sipërfaqeve të gjelbra.
Top Channel